Mbipopullimi i ishujve, Greqia nis shpërndarjen e emigrantëve

22/08/2015 00:00

Qindra emigrantë ilegalë janë zhvendosur nga ishujt grekë gjatë së premtes, për të lehtësuar situatën e rënduar që është krijuar nga ardhja e mijëra emigrantëve kryesisht nga Siria.

Në të njëjtën kohë, emigrantët e grumbulluar në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë qëndrojnë në pritje për të udhëtuar në veri të kontinentit që po përballet me fluksin e njerëzve që largohen nga shtetet e tyre të detyruar nga varfëria apo konfliktet.

Mbrëmjen e së premtes në Portin e Pireut mbërritën mbi 2200 emigrantë me një traget të vendosur posaçërisht nga qeveria greke. Kjo ishte hera e dytë që trageti transportoi emigrantë nga ishujt, ndërsa autoritetet po përpiqen të lehtësojnë situatën e krijuar në ishujt në kufi me Turqinë.

“Unë do të shkojë në Europë, nuk e dua luftën. Dua të shkojë aty ku ka siguri për mua dhe për të afërmit e mi, kjo është ajo që ne kërkojmë”, ka thënë për “Reuters” një emigrant sirian. 

Autobusët kanë pritur në mol tragetin e refugjatëve, shumë prej të cilëve gra dhe fëmijë. Më pas ata janë nisur drejt veriut të Greqisë, Selanikut, duke shpresuar të kalojnë në Maqedoni dhe nga atje në Europën Qendrore.

Rreth 3 mijë emigrantë ishin grumbulluar gjatë së premtes në zonën kufitare mes dy shteteve, të cilët u përballën më pas me policinë maqedonase.

Më herët gjatë ditës, kryetari i partisë Grekët e Pavarur, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kammenos, u sulmua nga disa protestues teksa po vizitonte ishullin Kos në Egje. Protestuesit reaguan ndaj mënyrës se si po e menaxhon qeveria krizën e emigrantëve dhe refugjatëve në ishull.
Në krizën e saj më të keqe ekonomike ndër breza, Greqia është gjendur e papërgatitur për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje të emigrantëve, kryesisht sirianë. Ardhjet gjatë këtij viti i kanë kaluar 160 mijë, tre herë më shumë se gjatë vitit 2014.

Top Channel