Maqedoni, Poposki: Emigrantët nuk janë keqtrajtuar, u detyruam të mbyllnim kufirin

22/08/2015 00:00

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë ka mbrojtur taktikën e ndjekur nga shteti i tij për mbylljen e kufirit me Greqinë, duke theksuar se emigrantët nuk janë keqtrajtuar. Nikola Poposki tha se Maqedonia e ndërmori këtë hap për shkak se 3500 emigrantë kalonin kufirin çdo ditë.

Refugjatët, pjesa më e amdhe nga Lindja e Mesme, duan të arrijnë në shtetet e Bashkimit Europian. Amnesty International ka deklaruar se ata ishin trajtuar më shumë si protestues se sa si refugjatë. Maqedonia ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme për të përballuar situatën.

Poposki ka thënë për BBC-në se nuk kishte parë pamje të refugjatëve që keqtrajtoheshin, por tha se atje është bërë një “ndërhyrje” pasi situata “u përkeqësua në mënyrë dramatike”. “Në ditët e fundit ka pasur një rritje dramatike të fluksit të emigrantëve dhe numri ka arritur në 3000 apo 3500 në ditë, dhe kjo nuk është diçka e zakonshme për një shtet me dy milionë banorë. Ne duhet të riforcojmë kontrollin e hyrjes së paligjshme në territorin e Maqedonisë”, ka thënë z. Poposki.

Medecins Sans Frontieres ka bërë të ditur se 10 persona janë plagosur nga gazi lotsjellës i trupave maqedone në fshatin Edomeni, afër kufirit me Greqinë.

Top Channel