Fluks në rritje në Rrugën e Kombit. Policia Rrugore mbikëqyr “pikat e zeza”

22/08/2015 00:00

Kjo fundjavë ka shënuar fluks të lartë përshkuesish të Rrugës së Kombit, meqë shumë pushues nga Kosova preferojnë fundjavën për ta kaluar në zonat bregdetare të Shqipërisë.

Specialistët e Policisë Rrugore thonë se fluksi më i lartë regjistrohet pikërisht në fundjavë, ndaj patrullat dhe shërbimet janë shtuar për të parandaluar aksidentet rrugore.

“Fluksi është shumë i lartë, sidomos të shtunave dhe të dielave, ku edhe shërbimi i Policisë Rrugore është shërbim 24-orësh. Deri më tani mendojmë se i kemi marrë masat e plota, por nuk do ta ulim përformancën, nuk do ta ulim gatishmërinë dhe cilësinë e shërbimit, këtu duke pasur parasysh edhe mënyrën e komunkimit. Ka ndërgjegjësim, ka edhe kompletim me sinjalistikë dhe në ato vende ku ka pasur njolla të zeza është zhvendosur edhe shërbimi i Policisë Rrugore, pra një gërshëtim i këtyre elementëve ka bërë të mundur që të kemi një parandalim të aksidenteve automobilistike”, u shpreh Luan Shehu, shef i Policisë Rrugore në Qarkun e Kukësit.

Në segmentin Kalimash–Kukës–Morinë vitet e kaluara kanë ndodhur dhjetëra aksidente rrugore, me pasoja në njerëz, por gjatë këtij sezoni turistik këto njolla të zeza janë monitoruar duke përcaktuar shërbim të përforcuar, ndërkohë që është punuar për përforcimin e sinjalistikës rrugore.

Respektimi i kufinjve të shpejtësisë, mospërdorimi i alkoolit, respektimi i trafikut dhe përdoruesve të rrugës mbeten këshillat që ekspertët e Policisë Rrugore vijojnë të japin për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Top Channel