Trazirat politike dhe konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme që prej 2010-s kanë pasur një efekt pozitiv krejtësisht të paparishikuar: kanë pastruar ajrin.

Kërkuesit kanë zbuluar se në vende si Siria e Iraku, niveli i ndotësve në ajër ka rënë në mënyrë dramatike. Që prej fillimit të luftës civile, sasia e dioksidit të nitrogjenit në kryeqytetin sirian, Damask është tkurrur me gati 50%.

Autorët e studimit besojnë se puna e tyre përbën një mësim të rëndësishëm përsa i takon projeksioneve të emetimeve në rang global. Shkenctarët i monitorojnë prej 11 vjetësh ndotësit atmosferikë me një precizion shumë të lartë falë vendosjes së intrumentit të mbikëqyrjes së ozonit në bordin e satelitit të NASA-s, Aura.

“Nuk është se duam të themi që lufta po sjell përfitime për popullin e Sirisë, por konflikti e ka përmirësuar vërtet cilësinë e ajrit e ky është një fakt”, u shpreh doktor Jos Lelieveld nga insituti i kimisë, “Max Planck”.

Studimi përdor të dhëna satelitore për të parë se si ka ndikuar përgjatë dekadës së fundit aktiviteti ekonomik, politik e ushtarak mbi cilësinë e ajrit në Lindjen e Mesme. Kur erdhi fjala tek nivelet e oksideve të nitrogjenit që gjenerohen nga djegia e karburanteve fosile, sidomos në transport, aty patën surpriza.

Në vende si Siria, ku që prej fillimit të luftës me miliona vetë janë përpjekur të largohen, dioksidi i nitrogjenit mbi Damask e Alepo pothuajse është përgjysmuar.

Ndërsa në Libanin fqinjë ka një rritje drastike prej 30 për qind të të njëjtit ndotës, dhe kjo i detyrohet fluksit të refugjatëve. Në kushte të tjera, një gjë e tillë pak gjasa kishte të ndodhte pasi përgjatë këtyre 4 viteve të fundit, ekonomia libaneze ka pësuar tkurrje.

Top Channel