Informaliteti, aksioni nis më 1 shtator, Cani: Synojmë 330 mln dollarë shtesë

22/08/2015 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani bëri për herë të parë publike pritshmëritë e qeverisë nga aksioni i paralajmëruar kundër evazionit fiskal. Kreu i financave tha se programi pritet të sjellë shtesë të ardhurash në buxhet deri në 2.8 përqind të Prodhimit Kombëtar.

“Nuk është sekret. Natyrshëm do të synojë rritje të të ardhurave. Ka edhe përllogaritje sesa do të jetë rezultantja e kësaj fushate; 330 milionë dollarë, ose afërsisht 40 miliardë lekë. Ky është synimi”, deklaroi ministri i Financave.

Zoti Cani tha se realizimi me sukses i këtij programi do të bëjë të mundur një sërë masash në ndihmë të ekonomisë dhe qytetarëve.

“Kjo do të sjellë disa efekte dhe kemi synime. Rritja e të ardhurave do të na ndihmojë në disa drejtime. Qëllimi final është ulja e nivelit të taksave, ulja e nivelit të borxhit publik dhe investime në shëndetësi dhe arsim. Kjo do të krijojë mundësi edhe për rritjen e pagave dhe pensioneve”, sqaron Cani.

Kreu i financave tha se ky nivel informaliteti është i trashëguar dhe nuk u krijua nga qeveria e majtë. Madje, sipas tij, pjesa dërrmuese e mosrealizimit prej 15.5 miliardë lekësh nuk ka lidhje me tatimet dhe doganat apo administrimin fiskal, por buron nga faktorë që nuk janë në dorën e qeverisë, si rënia e çmimit të naftës, ulja e importeve të energjisë dhe rënia e interesit të depozitave.

“Nëse do t’i mblidhnim, ne këtu na dalin 11 miliardë lekë që nuk janë faktorë të cilët kanë sjellë dëm në ekonomi, përkundrazi, kanë ndihmuar ekonominë, duke ju përmendur edhe shmangien nga tatimet, taksat dhe TVSH të makinerive, pajisjeve, çimentos e të tjera, që kanë ndihmuar ekonominë, por në të njëjtën kohë kanë sjellë efekte në të ardhura”, thotë ministri i Financave.

Krahas Ministrisë së Financave do të jenë të përfshira dhe institucione të tjera. Cani tha se në hartimin e strategjisë së këtij aksioni ka pasur edhe konsultime me FMN dhe takime të shpeshta edhe me vetë biznesin. Në Shqipëri, tha ministri Cani, ka aktualisht 100 mijë biznese aktive. Rreth 33 % e biznesit është e pafiskalizuar. Niveli i informaliteti është tek 50%, vijoi ai.

Shkëlqim Cani tha se aksioni do të prekë të gjitha bizneset e paregjistruara dhe ato që fshehin taksat, për ta nxjerrë ekonominë e vendit nga informaliteti.

Top Channel