Jetëgjatësi rekord? Në Japoni

22/08/2015 00:00

Që prej vitit 1963, ai që kalon 100 vitet në Japoni nderohet me një “sakazuki” prej argjendi, tas i përdorur kryesisht për sake-në, si dhe një letër përgëzuese nga kryeministri.

Por, numri i të moshuarve japonezë që kapërcejnë shekullin është rritur aq shumë ndër vite, sa nga 10 mijë vetë që llogariteshin në 1998-n, tani kanë shkuar në 58 mijë e 800.

Arsyeja e jetëgjatësisë së madhe në këtë vend duket se është konsumi i rregullt i peshkut, tofu-së, orizit dhe perimeve. Për autoritetet, shpërndarja e tasave të argjendit po kthehet në problem.

Shpenzimet janë rritur në krahasim me të shkuarën, siç e dëshmojnë qartë 260 milionë jenët e barazvlefshëm me 1,9 milionë euro që kanë dalë vitin e kaluar nga arkat e Ministrisë së Shëndetësisë. Nga këtu po merr jetë nevoja e shkurtimit të kostove dhe ideja për ta zëvendësuar metalin e çmuar të tasave me një material më pak të fisëm.

Përpara disa vitesh, pikërisht për shkak të rritjes së shpenzimeve të prodhimit, u vendos reduktimi i diametrit të tyre. Planet alternative përfshijnë zgjedhjen e një dhurate më pak të shtrenjtë apo edhe eleminimin e plotë duke u mjaftuar vetëm me letrën e kreut të ekzekutivit.

Në muajin korrik ndërroi jetë në moshën 112-vjeçare mbajtësi i rekordit botëror të burrit më të vjetër të planetit, Sakari Momoi, ndërsa te femrat ky titull i pati takuar po një japonezeje, Misao Okawa, e shuar në prill në moshën 117-vjeçare.

Vitin e kaluar, Japonia u rendit e para në klasifikimin global të jetëgjatësisë për nga numri i personave që i kishin kaluar 100 vitet.

Top Channel