Prezantohet administratori i Zall-Herrit, Seferi: Investim në infrastrukturë

22/08/2015 00:00

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi gjatë prezantimit të administratorit të ri të Zall-Herrit Arben Maloku, tha se në këtë zonë të Tiranës, do të investohet në infrastrukturë.

Kjo do të krijojë mundësi të mira  për investime në zhvillimin e sektorit të bujqësisë  por edhe atë të blegtorisë.

“Në kushtet e zhvillimit ku ndodhemi sot, bujqësia dhe blegtoria janë shumë të kërkuara, ndaj përmes promovimit më të mirë të zonës, Zall-Herri nuk duhet të konsiderohet më si një zonë e largët, por pjesë e Tiranës dhe një lagje e re e saj.”, u shpreh Andi Seferi.

Kreu i këshillit bashkiak Aldrin Dalipi tha se në buxhetin e ri do të parashikohet ndërtimi i disa rrugëve, ndërsa komuniteti do të përcaktojë prioritetet.

“Një nga problematikat e zonës është çështja e disa rrugëve të rëndësishme që lidhin fshatrat. Së shpejti, nisin përgatitjet për buxhetin e ri të Bashkisë së Tiranës, ndaj duhet të përgatiteni për projekte konkrete që t’i buxhetojmë dhe të nisim nga puna”, tha z. Dalipi.

Zall-Herri është një ndër zonat që mund të furnizojë Tiranën me produkte si vaji i ullirit, mjalti apo qumështi.

Top Channel