Përplasja për kishën në Dhërmi, MPJ: Greqia, ndërhyrje në punët tona të brendshme

22/08/2015 00:00

Ndërhyrja e Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë së Himarës në Kishën e Shën Thanasit në Dhërmi prodhoi një përplasje diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Ministria e Jashtme greke nëpërmjet zëdhënësit Costandinos Kutras, shprehu indinjatën e Athinës lidhur me ngjarjen. Në komunikatë thuhet se “largimi i dhunshëm i besimtarëve nga Kisha e Shën Thanasit, prej punonjësve të Bashkisë së Himarës, heqja e simboleve fetare dhe e sendeve të shenjta prej kishës, si dhe dëmtimi i rëndë i kësaj godine, përbëjnë një akt të dënueshëm, pavarësisht argumentave juridikë të kësaj bashkie, dhe natyrisht nuk tregojnë imazh pozitiv të një vendi që aspiron të bëhet anëtar i familjes europiane”.

“Ndaj, jemi në pritje të shpjegimeve të palës shqiptare lidhur me situatën atje dhe kërkojmë marrjen e masave të menjëherëshme prej qeverisë shqiptare”, thuhet në fund të deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke.

Për këtë ngjarje, Ministria e Jashtme shqiptare e quan reagimin e palës greke si të nxituar. Zëdhënësi Dervishi thotë në deklaratë se “Shqipëria përkujdeset të sigurojë zbatimin e ligjit në tërësinë dhe pacenueshmërinë e tij. Në raport me bashkësitë fetare, po ashtu edhe në raport me parandalimin e çfarëdolloj informaliteti dhe dallimin e tij nga shfrytëzimi korrekt i pronës private, në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe aktet e tjera ndërkombëtare në të cilët Shqipëria aderon”.

“Konstatojmë- thotë Dervishi- se qëndrimi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, përbën, në këtë kontekst, një ndërhyrje në mbarëvajtjen e rendit të brendshëm civil, administrativ dhe gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, ai paragjykon në mënyrë të njëanshme dhe eksesive angazhimin e kahershëm të Greqisë për të shoqëruar integrimin europian të Shqipërisë. Ky qëndrim, në këndvështrimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare është larg frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis Shqipërisë dhe Greqisë, që kishte për qëllim të promovonte takimi i fundit i ministrave Bushati-Kotzias”.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë- thuhet në fund të deklaratës- shpreson se deklarata e djeshme, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të shihet si qëndrim i një autoriteti që ushtron garanci morale apo kanonike mbi Kishën Ortodokse Autoqefale shqiptare dhe besimtarët e saj, do të mbetet vetëm një insinuatë e izoluar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke”.

Toni i reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë tregon qartë se Greqia mbetet peng i një kompleksi identitar arkaik që përzien fenë me politikën dhe që kërkon të barazojë shtetin grek me ortodoksinë, me pretendimin se ky shtet është garant i ortodokësve edhe në Shqipëri.

Top Channel