Çmimi i Madh i Belgjikës, Mercedes dominon provat zyrtare

22/08/2015 00:00

Mercedes ka dominuar edhe njëherë tjetër në provat zyrtare. Në garën për Çmimin e Madh të Belgjikës, britaniku Lewis Hamilton do të niset i pari dhe menjëherë pas tij Nico Rosberg.

Dy pilotët e skuderisë gjermane përsëritën atë që kemi parë shpesh përgjatë këtij sezoni. Hamilton regjistroi xhiron më të shpejtë, ndjekur nga kolegu i tij, Rosberg. I treti u radhit Valteri Bottas me Williams, ndërsa Grosjean me Lotus mori vendin e katërt.

Ferrari zhgënjeu totalisht në këto prova. Sebastian Vettel do të niset i nënti, ndërsa Raikkonen do të fillojë garën nga vendi i 14.

Piloti britanik arriti në finish ne kohën 1’47’’197, para Nico Rosberg i cili arriti në kohën 1’47’’655.

Për Hamiltonin kjo është hera e dhjetë që arrin në pole-poisition në këtë sezon, ndërsa barazon Michael Schumacher-in me 6 pole-position radhazi.

Gara për Çmimin e Madh të Belgjikës, në Spa Francorchamps, do të zhvillohet të dielën në orën 14:00, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD.

Top Channel