Dekriminalizimi, në fillim të shtatorit PD prezanton ndryshimet kushtetuese

22/08/2015 00:00

Ekspertët e Partisë Demokratike po punojnë këto ditë që në fillim të shtatorit të kenë gati amandamentet kushtetuese dhe ligjore për procesin e dekriminalizimit.

Top-Channel ka mësuar se sapo paketa të jetë gati në fillim të shtatorit, ajo do t’i paraqitet komisionit përkatës parlamentar, në menyrë që, siç thonë demokratët, politika dhe administrata shqiptare, në çdo nivel të saj, të pastrohet nga personat me rekorde kriminale.

Në fund të korrikut, Partia Demokratike bëri publike platformën e saj për dekriminalizimin, që bazohet në raportin e Komisionit të Venecias dhe mbi një proces të ngjashëm të ndodhur në Itali kundër mafias, një proces i njohur si ligji “severino”.

Për t’iu përshtatur realitetit shqiptar, opozita thotë se ka shtuar edhe rrethana të tjera rënduese për përjashtimin e personave me rekorde kriminale.

Në paketën që demokratët kanë aktualisht në përpunim e sipër dhe që atyre u pëlqen ta quajnë si ligji “severino plus”, shtohet edhe koncepti i përjashtimit nga zgjedhja në poste publike e personave të dëbuar jashtë vendit si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale, si psh të pjesëmarrjes në trafikun e drogës apo të qenieve njerëzore.

Nëse paketa “severino plus” e opozitës miratohet, ajo u hap rrugën ndryshimeve kushtetuese që ndërpresin menjëherë mandatet e deputetëve dhe zyrtarëve me të shkuar kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe ndalon zgjedhjen apo emërimin e tyre në të ardhmen.

Top Channel