Ahmetaj: Ekonomia po rritet; nuk e taksojmë më fort naftën

22/08/2015 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaroi se rritja ekonomike e vendit është përshpejtuar, pavarësisht ambientit të pafavorshëm dhe situatës së vështirë në vendet fqinje.

“Kjo ekonomi po rritet edhe në mungesë të kreditimit. Arsyet janë të shumta, por unë numëroj tre. Së pari besimi; indekset e besimit të sipërmarrjes dhe të konsumatorit janë rritur, së dyti, është aktivizuar prodhimi i vendit dhe së treti, kemi mundur të krijojmë besim tek investitorët e huaj. Vetëm në 3-mujorin e parë të vitit 2015 arritëm të vendosim një rekord të tërheqjes së investimeve të huaja; 268 milionë euro”, deklaroi Ahmetaj.

Në një intervistë për Top Channel, kreu i Ekonomisë ka folur edhe mbi një çështje, e cila prej muajsh ka shkaktuar debate të forta jo vetëm politike, që është ajo e çmimit të naftës. Sipas tij, Shqipëria nuk i takson më fort se vendet e tjera karburantet, por diferencat në çmime shkaktohen nga taksa e qarkullimit, të cilën vendet e tjera e paguajnë mbi automjetet.

“Po marr Maqedoninë që mbi makinën ka 4-5 lloje taksash, që shpeshherë shkojnë edhe në 500-600 euro. Ne nuk e kemi këtë ngarkesë mbi çdo automjet, por kemi vendosur që për dy arsye, për të mos ngarkuar së pari qytetarët që kanë makinën me këtë taksën kaq të rëndë, e kemi futur taksën e qarkullimit proporcionalisht për ata që përdorin makinën me naftë tek litri i naftës dhe sigurisht që diferencat e vogla në çmim janë të krahasueshme”, shpjegoi Ahmetaj.

Opozita i ka kërkuar qeverisë që të ulë taksën e qarkullimit, për ta rikthyer atë në nivelin 7 lekë për litër, pasi sipas saj, kjo do të ulte çmimin për konsumatorët dhe do të  ndihmonte ekonominë.

“Unë opozitës do t’i kujtoj 726 milionë dollarë borxhe në kurriz të qytetarëve dhe biznesit, të cilat ia kanë grabitur në mënyrë arbitrare dhe ia kanë lënë në kurriz kësaj qeverie. Opozitës do t’i kujtoj situatën me energjinë elektrike dhe sistemin energjitik shqiptar, i shkatërruar që mund të fundoste jo vetëm qeverinë, jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe familjet shqiptare”, tha ministri i Ekonomisë.

Por veç taksave, konsumatorët shqiptarë paguajnë edhe një tjetër fenomen, atë të ngurtësisë së tregut, pasi tregtarët nuk i ulin çmimet kur ato bien në bursa.

“Nuk ka situatë monopol në tregun e naftës, por shpesh shihen sjellje nga kompanitë që përpiqen të dominojnë tregun. Këtu ka nevojë për një monitorim akoma më intensiv nga strukturat qeveritare”, thotë Ahmetaj.

Ndonëse në tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës prej muajsh është në një rënie të fortë, në tregun e brendshëm ai kanë mbetur në nivele të larta përgjatë gjithë kësaj kohe.

Top Channel