Anëtarësimi në UNESCO, Kosova shpreson në arritjen e objektivit

22/08/2015 00:00

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Shkencë, Arsim dhe Kulturë vjeshtën e këtij viti, është beteja e radhës politike e diplomatike që Kosova pret ta fitojë mbi propagandën e fuqishme të Serbisë dhe aleatëve të saj.

“Ne, së bashku me aleatët tanë, kemi bërë një llogaritje. Beteja është shumë e vështirë, kërkon çdo mundësi, çdo dritare dhe derë ta hapim dhe ne kemi shpresa që do ta fitojmë këtë garë, por nuk është lehtë. Dy të tretat e votave të 195 vendeve anëtare, kërkojnë shumë punë edhe dedikim, por edhe pak fat”, thotë zv.ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.

Një grup prej rreth 15 shtetesh janë angazhuar përkrah Kosovës në mënyrë që aplikimi në UNESCO të shënojë rezultat pozitiv. Një kontribut të veçantë, siç e thekson edhe zëvendësministri i Jashtëm, e ka dhënë ministria e Jashtme e Shqipërisë, në veçanti ambasadorja Besiana Kadare.

“Padyshim, Serbia është duke përdorur diskurs të vjetëruar të rëndë dhe agresiv. Ftesat e ambasadorit serb, Tanaskoviç që të bëhet një front i gjërë i krishterimit kundër Kosovës janë anakronike. Ne flasim vetëm për përfitime të popullit të Kosovës në arsim, shkencë, kulturë”, thotë Selimi.

Për arkeologun kosovar, Kemajl Luci, i angazhuar në zbulimin e qytetërimit të hershëm në Ulpianë, Kosova do të duhej të ishte pjesë e UNESCO-s për faktin se është zona më e vjetër arkeologjike në tërë Gadishullin Ballkanik.

“Pozita gjeografike, ose Dardanisë së Lashtë, ku të gjitha rrugët prej perëndimit në lindje kanë kaluar nëpër Dardani dhe zanafilla e krishtërimit të parë është në Dardani, zanafilla e të gjitha kulturave të Ballkanit është këtu, mua më duket e palogjikshme që çelësi i trashëgimisë kulturore të Ballkanit, Dardania e Lashtë, të mos jetë aty. Kjo s’ka logjikë”, thotë Luci.

Katër objekte mesjetare të Kosovës tanimë janë nën mbrojtjen e UNESCO-s, Manasatiri i Graçanicës, i Deçanit, Patriarkana e Pejës dhe kisha e Shën Premtes në Prizren, por në kuadër të  Serbisë, ndërsa në procedurë tenderimi, po nga UNESCO-ja, një kompani serbe po punon në restaurimin e Kalasë së Novobërdës.

“Kosova nuk është anëtare e UNESCO-s prandaj, titulli në kllapa ‘janë objekte mesjetare’ në Kosovë është futur nga Serbia si shtet që njihet nga UNESCO. Në momentin që Kosova bëhet anëtare e UNESCO-s, ne do ta gjejmë formulimin më të përshtatshëm, i cili nuk është ofendues për kishën ortodokse serbe, por që është respektues ndaj realitetit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, deklaron zv.ministri i Jashtëm, Petrit Selimi.

Puna lobuese do të vazhdojë dhe është caktuar që Komiteti Ekzekutiv i UNESCO-s të mblidhet më 6 tetor, organ ky që për të rekomanduar anëtarësimin e Kosovës kërkon votat e 29 anëtarëve nga 58 që janë gjithsej. Çështja më pas do të kalojë në Konferencën e Përgjithshme në muajin nëntor, ku do të duhen 2/3 e votave të 195 vendeve anëtare.

Top Channel