Mjeku kërkoi të blinin ilaçet, 23-vjeçari e dhunon

22/08/2015 00:00

Policia e Durrësit nisi procedimin penal në mungesë ndaj një 23-vjeçari, i cili akuzohet se ka goditur për shkak të detyrës një mjek të Spitalit Rajonal të Durrësit.

Jurgen Hoxha, 23 vjeç, banues në Durrës, është përplasur me mjekun me inicialet A.N., 43 vjeç. 23-vjeçari është paraqitur në spital më të atin e tij, shtetasin Adriatik Hoxha, 49 vjeç.

49-vjeçari është paraqitur në urgjencë për vizitë. Këtu është përplasur verbalisht me mjekun A.N., pasi ky i fundit i ka kërkuar që të blinte një ilaç në farmaci.

Pas kësaj në spital ka mbërritur djali 23-vjeçar i Adriatik Hoxhës. Ai ka dhunuar fizikisht mjekun, i cili ka marrë disa plagë të lehta në trup.

Policia nisi procedimin penal në mungesë ndaj 23-vjeçarit, Jurgen Hoxha me akuzën “goditje për shkak të detyrës”.

Top Channel