Pasojat e mungesës së “opozitës institucionale”

22/08/2015 00:00

Nga Alban Daci – Ka një të vërtetë të hidhur sot në Shqipëri. Nuk po flasim për hidhërimet e shumta që kanë mbushur kronikën e zezë për çdo ditë, por po flasim për sistemin politik shqiptar. Politika shqiptare duket se ka hyrë në një llogore shumë të rrezikshme që vë në dyshim faktin nëse në Shqipëri kemi sistem demokratik, apo sistem oligarkik gjithëpërfshirës.

Është e vërtetë që sipas politologëve e studiuesve se në demokracitë perëndimore ndarjet ideologjike janë bërë gjithnjë e më të papërfillshme. Këtu e kemi fjalën për ndarjen klasike mes të majtës e të djathtës e kjo ka ardhur sigurisht me evolucionin/revolucionin e shoqërisë e në veçanti konceptit të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst, ndarja e të majtës e së djathtës që kishte të bënte kryesisht për mënyrën se si e shikonin funksionimin e shoqërisë duke pasur parasysh këndvështrimin për pronën private, për divorcin, për familjen për modelin ekonomik, tashmë të gjitha këto janë futur në paketën e të drejtave të njeriut dhe bëjnë pjesë në atë që quhet “welfare state” ose shteti i mirëqenies. Megjithatë, ndarja e padukshme mes të majtës e së djathtës në demokracitë perëndimore nuk ka bërë po aq të padukshme ndarjen mes asaj që quhet pozitë, ose shumica qeverisëse dhe opozita, pakica, alternativa e qeverisjes. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka si të ndodh në një demokraci, sepse në një shoqëri që ka vetëm një alternativë qeverisje dhe vetëm një këndvështrim për qeverisje, atëherë në atë vend demokracia ka vdekur e kemi totalitarizëm.

Në Shqipëri po ndodh një fenomen që jo vetëm ka bërë të padukshme ndarjen mes të majtës e të djathtës, por ka vënë në dyshim edhe ekzistencën e një opozite, një alternative kundër pushtetit të qeverisjes. Të dyja fenomenet që po ndodhin në Shqipëri janë të rrezikshme. Së pari, zhdukja e ndarjes mes të majtës dhe të djathtës ka ndodhur në demokracitë perëndimore pas shumë betejave shoqërore dhe pas shumë arritjeve në të drejtat e njeriut. Shoqëria shqiptare ka një demokraci infantile e kjo bën të mos ketë një shoqëri të evoluar. Në Shqipëri nuk mund të ketë zhdukje të vijës ndarëse mes të majtës e të djathtës, sepse akoma nuk është fituar beteja për pronën private. Prona private edhe pse juridikisht bën pjesë te të Drejtat e Njeriut, ajo praktikisht ajo është e cenuar duke u nisur nga fakti se prona nuk i takon pronarit. Tjetërsimi i pronës në mënyrë jo juridike dhe proceset e ashtuquajtura legalizime dëshmojnë faktin, se procesi i privatizimit dhe shenjtërimi i pronës private janë procese të paplotësuara.

Po ashtu, as proceset me të cilat karakterizohej e majta klasike duket se në Shqipëri janë procese të paplotësuara. Shqipëria sot nuk është një shtet social dhe nuk ka asgjë sociale. Shqipëria është sot një vend i politizuar në mënyrë ekstreme dhe për rrjedhojë, të drejta sociale e mbështetje sociale ka vetëm ajo kategori që ka lidhje me politikën, që suporton politikën dhe jeton prej politikës. Fatkeqësisht, në Shqipëri në mënyrë “pre-mature” kemi zhdukjen e ndarjes mes të majtës e të djathtës, por në të njëjtën kohë në mënyrë të rrezikshme për demokracinë kemi thuajse edhe zhdukjen e vijës ndarëse me pozitës dhe opozitës, duket sikur të gjithë janë bërë palë me pushtetin. Disa me shpresa për të marrë një copë tortë të pushtetit, disa të tjerë nga frika se mos vjellin copën që kanë marrë më parë e shumë të tjerë nga paaftësia. Kur them të gjithë e kam fjalën për ata politikanë që zyrtarisht janë në opozitë e politikisht në heshtje. Në çdo vend demokratik ka nga ajo që quhet “Opozitë institucionale” e kjo është minoranca që ka humbur zgjedhjet, por jo betejën e saj për të përfaqësuar qytetarët dhe për të kontrolluar pushtetin.

Sot, Shqipëria nuk ka një opozitë të tillë, sepse kjo që është i ka humbur të gjitha betejat e saj në Komisionin e Ligjeve, në foltoren e Parlamentit, në media, madje edhe në elektorat. Madje, në mënyrë edhe humoristike ka humbur në Parlament edhe betejat e drurit duke dalë e rrahur edhe fizikisht. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të numrave të mjaftueshëm, por për shkak të mungesës së një vizioni për qeverisjen e vendit, për shkak të interesave të ngushta të disave e ngopjes me pushtetin.

Nuk bëhet opozitë vetëm me një Berishë, i cili shkruan në Facebook, lufton në foltoren e Parlamentit, flet në media e jep vizione për opozitarizëm. Opozitarizmi ka përfunduar vetëm te disa individë, një pjesë të cilëve nuk janë as politikanë, por intelektualë që demaskojnë me kurajë pushtetin në një kohë të një absolutizmi të plotë e agresiv. Sot, kemi intelektualë si Artan Fuga që bën opozitën më të fortë për miratimin e ligjeve sesa vetë opozita. Këtë e mora si shembull për të kuptuar forcën e disa intelektualëve në një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më shumë homogjene dhe kjo politikisht përkthehet absolutizëm. Nuk është shumë e vështirë për të parë e kuptuar zhdukjen e “Opozitës institucionale”, ajo është vagët në reagime, e plogësht në konkretizime dhe inekzistente në beteja për vizione e alternativë qeverisëse. Madje, mund të themi se sot nuk kemi as opozitë kritike dhe jo më alternuese.

Mjafton të shikojmë se pozita bën njëqindtë tellallë në ditë që shumica janë thjesht propagandë bajate dhe opozita nuk bën asnjë replikë apo reagim. Aq e lodhur duket opozita sot sa ndonjëherë na jep përshtypjen sikur kërkon një opozitë brenda opozitë për pozita. Kjo na bën të bindemi se “opozita institucionale” në Shqipëri në një mënyrë apo në një tjetër është palë me pozitën. E kaluara dhe nevoja për të ardhmen e ka bërë “Opozitën institucionale” peng të pozitës. Dallimi i “Opozitës institucionale” me përfaqësim të plotë në institucionet e ligjvënies e të përfaqësimit dhe “opozitës individuale” të përfaqësuar nga zërat e disa intelektualëve të guximshëm është se e dyta ndihmon kohezionin e demokracisë, e shëndosh atë në formën e debatit dhe të ideve, por ajo nuk është një alternativë qeverisje. “Opozita institucionale” edhe nesër sikur të marrë pushtetin duket qartë se nuk ka një vizion për të qeverisur e drejtuar vendin.

Qëllimi i opozitës nuk duhet të jetë marrja e pushtetit, por qeverisja e vendit. Sigurisht, nuk mund të qeverisësh vendin nëse nuk ke marrë pushtetin, por ky i fundit mbetet mjeti për të arritur finalitetin, qeverisjen. Ndërsa, “opozitës institucionale” duket sikur nuk ka asnjërin nga këto qëllime, as pushtetin e aq më pak edhe qeverisjen. Madje, duket sikur nuk ka as burimet njerëzore për ta bërë një gjë të tillë. Nuk bëhet opozitë në mënyrë kuturu. Mungesa e një opozite institucionale na bën të besojmë, se sot në Shqipëri kemi një formë absolutizmi pushteti dhe se të gjithë lojtarët në politikë duket se janë një alternativë e vetme. Kjo është një goditje e rëndë për demokracinë tonë infantile dhe që ka pasoja direkte për jetën e qytetarëve.

Top Channel