Vidhen serverat e “Ashley Madison”

22/08/2015 00:00

Piratët kompjuterikë kanë hyrë në serverat e “Ashley Madison”, një prej faqeve më të mëdha për njohje dhe takime për të rritur, duke marrë të dhënat e miliona përdoruesve, të cilat po i bëjnë publike.

Prej ditësh, grupi i hakerave, i njohur si “Impact Team” ka nisur publikimin e këtyre të dhënave, mes të cilave besohet se ndodhen emra të njohur në fushën e sportit, artit, muzikës e madje edhe politikanë në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe vende të tjera të Europës.

Faqja shërben kryesisht për aventura jashtëmartesore dhe shumë përdorues të saj druhen se në listën e emrave të publikuar do të jenë edhe ata.

“Impact Team”, në publikimin e “dosjes” së tretë me emra “tradhtarësh”, thotë se nuk synon të shantazhojë askënd dhe qëllimi është zhveshja e hipokrizisë së shumë personazheve të famshëm. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, forumi teknologjik “The Verge” thotë se këto të dhëna po përdoren për të shantazhuar personat që kanë pasur një llogari në serverat e “Ashley Madison”.

Njëri prej viktimave është edhe Eliot Shore, një i ve amerikan që thotë se hapi një llogari tek “Ashley Madison” pas vdekjes së bashkëshortes së tij, por asnjëherë nuk doli në një takim të ndërmjetësuar nga kjo faqe.

Për këtë ai paditi kompaninë dhe kërkon një dëmshpërblim prej 7.65 milionë dollarësh për dëmtim imazhi.

Top Channel