Roma ndan një pikë me Veronën në ndeshjen hapëse të Serisë A

22/08/2015 00:00

Nuk ka fitues në sfidën hapëse të sezonit 2015-2016 në Serinë A. Verona dhe Roma u ndanë në barazim 1-1 në sfidën e luajtur në Bentegoti, ku skuadrat shënuan nga një gol.

Me Dzekon dhe Salah titullarë verdhekuqtë e kishin shumë të vështirë për të carë mbrojtjen e ngjeshur të vendasve, që në strategjinë e tyre kërkonin goditjen e kundërshtarit nëpërmjet kundërsulmit.

Veronezët patën mundësi ta zhbllokonin ndeshjen që në minutën e dytë, por goditja e Juan Gomez, përfundoi mbi tra. Roma u kundërpërgjigj me Dzekon në minutën e 32, por finalizimi me kokë i sulmuesit boshnjak, nuk kishte saktësinë e duhur. Në fund të pjesës së parë veronezët shkaktuan panik në zonën e Romës, por goditja e Souprayen kaloi ngjitur me shtyllën.

Në pjesën e dytë Szczesny, vetëm pak minuta pasi i kishte mohuar golin Hallfredsonit, nuk mund të bënte asgjë për të ndalur Jankovic, që shfrytëzoi një krosim të saktë të islandezit.

Vetën 5 minuta më pas Roma vuri baraspeshëm me Florenzin, që befasoi portierin Rafael me një goditje të fortë nga distanca.

Pjaniç dhe Dzeko në të paktën tre raste mund t’i kishin dhënë fitoren Romës, por tentativat e dy futbollistëve boshnjakë u neutralizuan nga Rafael ose përfunduan jashtë. Edhe pas 5 minutave shtesë rezultati mbeti ai i minutës së 66-të, me të dyja skuadrat që iu gëzuan pikës së parë në Serinë A.

Top Channel