Pezullohet shefi i policisë së Kavajës; mori 2 mijë euro për një ndërtim të paligjshëm

22/08/2015 00:00

Policia e Shtetit ka sqaruar motivacionin me të cilin u pezullua nga detyra shefi i Komisariatit të Policisë së Kavajës.

Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit sqaron se Arbëresh Vokshi është shkarkuar nga detyra pasi është gjetur me shkelje për mosushtrim të kompetencave dhe përdorimin e detyrës së punonjësit të Policisë së Shtetit për interesa private.

Konkretisht, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Komisar Arbëresh Vokshi ka penguar në një rast kryerjen e veprimeve hetimore për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm.

Mësohet se këtë çështje Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat e ka në hetim, bazuar në ankesën e një pronari të ndërtimit të paligjshëm, ku pretendohet se punonjësi i policisë ka marrë 2000 euro për lejimin e paligjshëm të ndërtimit të një banese.

Veç kësaj, ndaj komisarit të pezulluar rëndon edhe akuza e mosdhënies së informacionit në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në fshatrat e zonës së Rrogozhinës, ku një ditë më parë policia asgjësua mbi 7 mijë rrënjë dhe sekuestroi rreth 100 kilogram hashash të presuar, të ndarë në 12 thasë.

Top Channel