Sulmi në tren, Franca: Agresori, militant islamik i njohur për europianët

23/08/2015 00:00

Gjurmët e gishtërinjve tregojnë se agresori, i asgjësuar nga pasagjerët e trenit në Francës, është një shtetas maroken i njohur shumë mirë nga autoritetet europiane si një militant i dyshuar islamik, kanë bërë disa burime të “Reuters” gjatë së shtunës.

Dy persona mbetën të plagosur gjatë betejës për të mposhtur ekstremistin me kallashnikov në duar në bordin e një treni të shpejtësisë së lartë, që ishte nisur nga Amsterdami me destinacion Parisin, gjatë së premtes.

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve tha për reporterët se agresori njihet si një 26-vjeçar maroken, i cili është “identifikuar nga autoritetet spanjolle dhe i është raportuar agjentëve të shërbimeve sekrete franceze gjatë shkurtit të vitit 2014, për shkak të lidhjeve të tij me një lëvizje islamike radikale”.

Cazeneuve nuk e bëri të ditur emrin e tij, por burime me njohuri mbi çështjen thanë se ai quhet Ayoub el Khazzani, i cili besohet të ketë fluturuar nga Berlini drejt Stambollit më 10 maj të këtij viti. Turqia është një destinacion i preferuar fluturimesh ajrore për shtetas që synojnë t’u bashkohen xhihadistëve në Siri apo edhe Irak.

Sipas burimeve të antiterrorizmit në Spanjë, autoritetet spanjolle e kishin nën mbikëqyrje të dyshuarin Khazzani, përpara se ai të largohej nga Spanja drejt Francës në vitin 2014. Më pas, ai u drejtua për në Siri për t’u rikthyer sërish në Paris.

Në Spanjë, ai ka jetuar në Madrid nga viti 2007 deri në 2010-n, përpara se të transferohej në qytetin portual jugor të Algecirasit. Ai madje është arrestuar një herë në Spanjë për shkelje ligjore në lidhje me drogën, thanë burime të antiterrorizmit spanjoll.

Cazeneuve tha se agresori ka jetuar edhe në Belgjikë, ndërkohë që hetimet “duhet të përcaktojnë saktësisht aktivitetet dhe udhëtimet e këtij terroristi”. Sipas të përditshmes franceze “Le Voix du Nord”, i dyshuari mund të ketë lidhje me një grup të përfshirë një sulm me armë të dyshuar islamik në Belgjikë gjatë muajit janar. Qeveria belge ka konfirmuar hetimet për këtë çështje, por pa dhënë detaje të tjera.

Autoritetet franceze ndodhen në gjendje të lartë gatishmërie që prej muajit janar, kur 17 persona humbën jetën gjatë të shtënave të militantëve islamikë në Paris dhe periferi, ku u prek gazeta satirike “Charlie Hebdo”.

Top Channel