Afganistan, 3 amerikanë të vrarë në sulmin kamikaz ndaj kontraktorëve të NATO-s

23/08/2015 00:00

Tre shtetas amerikanë, kontraktorë të NATO-s, janë mes 12 viktimave të një shpërthimi me bombë të së shtunës në Kabul, që kishte për objektiv një autokolonë të forcave të koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara, duke e bërë këtë sulm një nga më vdekjeprurësit për shtetasit amerikanë në Afganistan gjatë viteve të fundit.

Sulmi kamikaz i ndodhur në ambientet jashtë një spitali në një rrugë të banuar gjatë orëve të pikut, la të vdekur kryesisht civilë afganë si dhe plagosur shumë të tjerë, duke shtuar zemërimin në Kabul pas një serie shpërthimesh vdekjeprurëse gjatë këtij muaji, që kanë lënë me dhjetëra të vdekur.

Agresori drejtoi mjetin e tij drejt një kamioni me armatime që i përkiste kontraktorit amerikan “DynCorp International”, që në momentin para shpërthimit ishte i hapur dhe pas tij mbeti i shkatërruar totalisht. Dhjetëra mjete të tjera u shkatërruan pranë vendit të ngjarjes nga forca e shpërtimit, përfshi edhe një furgon që përdorej për transport nxënësish shkolle.

Një kontraktor amerikan u vra në momentin e shpërthimit të bombës, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë nga plagët e marra, bëri të ditur koalicioni i Atlantikut verior gjatë orëve të darkës së të shtunës, duke mos i identifikuar ata. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kabul dënoi sulmin me bombë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në ndihmën ndaj partnerëve tanë afganë, në përpjekjet e tyre për të siguruar një të ardhme të paqtë për Afganistanin”, lexohej në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

Kontraktorë si “DynCorp”, që është e përfshirë prej një kohe të gjatë në luftën e Afganistanit dhe që ofronte truproja për Presidentin e fundit të vendit, kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme objektiva të talebanëve. Katër punonjës të këtij kontraktori u vranë gjatë një sulmi të ngjashëm vdekjeprurës në Kabul gjatë vitit 2013.

Sulmet me bomba në Kabul janë shtuar së tepërmi, që kur qeveria dhe talebanët konfirmuan në korrik se kreu i talebanëve, Mullah Omar kishte ndërruar jetë dy vite më parë, duke i dhënë një goditje shpresave të kryengritësve për një rikthim të shpejtë në tryezën e negociatave.

Top Channel