Bayern e nis me përmbysje, Guardiola: Ishte çmenduri dhe ndeshja më e bukur e kohës sime

23/08/2015 00:00

Pep Guardiola e ka quajtur “të çmendur” përmbysjen e rezultatit nga ana e Bayern Munchen në transfertën e Hoffenheimit, ditën e shtunë, duke e vlerësuar edhe si një prej ndeshjeve më të bukura të zhvilluara nga bavarezët në Bundesliga në 3 sezonet e fundit të periudhës së trajnimit prej tij.

Një gol i minutës së fundit nga Robert Lewandowski i dha fitoren e papritur gjigantëve bavarezë, pasi kishin pësuar golin më të shpejtë në historinë e kampionatit gjerman, kur Kevin Volland i Hoffenheimit shënoi pas 9 sekondash lojë.

Bayerni u desh ta niste kështu nga disavantazhi për të luftuar drejt fitores, teksa fillimisht arriti të barazonte me anë të Thomas Muller, në fund të pjesës së parë, i cili devijoi me gju një top të ardhur nga duart e portierit vendas pas gjuajtjes së fortë nga Douglas Costa.

Kampionët në fuqi të Gjermanisë mbetën me 10 vetë, kur mbrojtësi Jerome Boateng mori kartonin e dytë të verdhë pas një prekjeje të topit me dorë. Hoffenheim shpërdoroi një rast të artë për një fitore historike ndaj Bayernit, kur Eugen Polanski e nxorri jashtë gjuajtjen nga 11-metërshi.

“10 minutat e fundit ishin të çmendura. Kemi parë një prej ndeshjeve më të bukura të Bundesligës gjatë 3 viteve të qëndrimit tim këtu”, tha Guardiola, i cili është në vitin e fundit të kontratës së tij me Bayernin. “Jam i kënaqur me fitoren dhe mbi të gjitha me performancën e ekipit. E dinim se do ta kishim të vështirë ndaj Hoffenheimit, që ka krijuar shpesh herë probleme për ne”.

Java e parë e kampionatit gjerman ofroi surpriza të shumta, teksa vetëm Bayern Munchen dhe Leverkusen arritën të triumfonin në transfertat e tyre, kurse të mëdhenjtë e tjerë zhgënjyen, duke nisur që nga nënkampionët e Wolfsburgut. “Aspirinat” e Leverkusenit fituan 1-0 ndaj Hannoverit, ndërsa “ujqit” barazuan 1-1 me Këlnin, ashtu sikurse edhe Schalke 04 me Darmstadtin e sapongjitur në Bundesliga. Në ndeshjen e fundit të ditës së shtunë, Hamburgu fitoi 3-2 në shtëpi ndaj Stuttgartit me 10 vetë.

Top Channel