Iran, rihapet pas 4 vitesh Ambasada e Britanisë. Hammond: Moment historik në marrëdhëniet dypalëshe

23/08/2015 00:00

Ambasada e Britanisë së Madhe në Iran është rihapur gjatë kësaj të diele pas afro 4 vitesh, e mbyllur në vitin 2011 pas mësymjes së protestuesve gjatë një demonstrate kundër sanksioneve të vendosura ndaj Republikës Islamike.

Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, ka vizituar Teheranin i shoqëruar nga një delegacion udhëheqësish biznesesh, për një ceremoni që do të shënojë rihapjen e institucionit të diplomacisë. Reciprokisht, edhe Irani pritet të rihapë Ambasadën e tij në Londër.

Hammond është i pari diplomat i Britanisë që viziton Iranin, që prej vitit 2003, ndërsa vizita e tij vjen pak javë pasi Irani ka nënshkruar një marrëveshje me 6 superfuqitë botërore, me synimin e kufizimit të programit të tij bërthamor kundrejt heqjes së sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Me të mbërritur në Teheran, Hammond shkroi në Twitter: Vizita e parë ministeriale britanike që prej 2003-shit. Një moment historik në marrëdhëniet mes Britanisë dhe Iranit.

Më herët, ai kishte thënë se marrëveshja bërthamore dhe zgjedhja e Hassan Rouhanit si President në qershor të vitit 2013 – i cili është zotuar për më shumë angazhime me Perëndimin, – kanë qenë “arritje tepër të rëndësishme” që kanë ndikuar në marrëdhëniet e përmirësuara mes dy vendeve.

“Rihapja e Ambasadës sonë është një tjetër hap kyç në marrëdhëniet e përmirësuara dypalëshe. Në radhë të parë duam të sigurojmë cilindo se marrëveshja bërthamore është një hap suksesi, duke përfshirë këtu edhe inkurajimin e tregtisë dhe investimeve sapo të hiqen sanksionet. Britania dhe Irani duhet të jenë të gatshme gjithashtu të diskutojnë mbi sfidat me të cilat përballen të dy vendet, përfshi terrorizmin, qëndrueshmërinë rajonale, përhapjen e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, luftën kundër narkotikëve dhe emigracionin”.

Fillimisht, Ambasada do të kryesohet nga i ngarkuari me punë, Ajay Sharma, por Hammond tha se marrëveshja për ta rritur nivelin e përfaqësimit duke i dhënë statusin e ambasadorit pritet të arrihet në muajt e ardhshëm.

Top Channel