Cipras, politikan race apo populist i pandreqshëm?

23/08/2015 00:00

Ilir Kalemaj – Qysh në fillim duhet thënë se kryeministri i sapodorëhequr i Greqisë është politikan race dhe populist i pandreqshëm.

Një politikan race që e ka dëshmuar që herët në mobilizimet studentore dhe grevat që udhëhiqte deri te shmangia e mentorit të tij politik, kur Ciprasi radikal për herë të parë shfaqi tendencat e tij më të moderuara dhe preferoi qëndrimin e Greqisë në Eurozonë përkundër mbrojtjes së pozicionit për kthimin te dhrahmia. Një pozicion që po e mbron akoma me zëlartë sot, kundër grupimit rebel prej 40 deputetësh, të cilët i dhanë pretekstin për zgjedhje të parakohshme. Ndonëse vetëm një pjesë e tyre (25 deputetë) iu bashkuan figurës më energjike të këtij grupimi ultra të majtë, ish-ministrit të Energjetikës, Llafazanis, duke lënë jashtë ndër të tjerë Kryetaren e Parlamentit, Zoi Konstantopoulou, dhe ish-ministrin kontrovers të Financave, Varufaqis, fakti që një e katërta e deputetëve nuk kishin më besim te Kryeministri në detyrë dhe anasjelltas, e detyroi këtë të fundit që të merrte të vetmin hap logjik për të garantuar të ardhmen si politikan i dorës së parë, zgjedhjet e parakohshme.

Një lëvizje sa pragmatiste, aq edhe e kalkuluar për të qenë “win-win”, pasi shanset që të konfigurohet një koalicion opozitar me Ciprasin jashtë, përkundrejt disa parashikimeve emotive të çastit, janë thuajse zero. Zgjedhjet nuk fitohen në tavolina negociatash, por në kutitë e votimit për të pasur legjitimitetin e nevojshëm dhe transmetuar frymë besimi tek elektorati, aq më tepër në rastin grek, ku njerëzit po ballafaqohen me një krizë të përmasave epike dhe të paprecedentë qoftë për dimensionin lokal, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Ballafaqimi i presioneve të jashtme, duke i mbivendosur retorikën demagogjike që populli ka të drejtën e fjalës në vendimmarrjen përfundimtare që Ciprasi synoi me referendumin e dështuar, solli si pasojë ashpërsimin e sanksioneve në paketën e radhës të huas dhe rezultoi “një furtunë në gotë uji” në moment krejt të papërshtatshëm.

Gjithsesi, populisti i pakorrigjueshëm Cipras nuk e mori si leksion fatalist për të mos përdorur manovra të ngjashme, por vetëm si një rast ad hoc, koston politike të të cilit ia faturoi fillimisht Varufaqisit, i cili u detyrua të japë dorëheqje, por edhe të hezitonte në çdo rast të mëpasshëm të kritikonte mentorin e tij politik, Cipras. Në fakt, ajo që ndodhi me Varufaqis ishte e paralajmëruar qysh muaj më parë, ku kancelaritë europiane dhe institucionet e Brukselit preferonin si negociator vetë Ciprasin përkundër ministrit të tij karizmatik, i njohur në rrethet akademike për risitë e tij me “teoritë e lojës”, por i parrahur mjaftueshëm me “lojën politike”.

Provat si populist i pandreqshëm Ciprasi i kishte dhënë qysh në fillim kur zgjodhi nacionalistët Grekët e Pavarur përkundër partisë së re centriste dhe proeuropiane To Potami (Lumi) të udhëhequr nga gazetari Teodorakis. Apo kur merrte mbështetje parlamentare nga Agimi i Artë, parti e ekstremit të djathtë me prirje të qarta fashiste dhe raciste, ndërkohë që kundërshtohej për qasjen refraktare antieuropiane nga partitë e qendrës së djathtë, si Demokracia e Re, apo ato të qendrës së majtë, si PASOK apo të qendrës si Lumi.

Ajo që po ndodh është kronika e një përçarjeje të paralajmëruar të vetë Syriza-s, një grupim që më tepër është koalicion që grupon marksistë, trockistë, komunistë, maoistë apo të majtë të moderuar sesa parti tradicionale dhe që ka qenë për rreth 2-3 dekada në politikën greke, por ka fituar peshë elektorale vetëm nën “kafshën politike” Cipras. Ky grupim eklektik ka të ardhme vetëm nëse do të “pastrohej” nga ideologët populistë të ekstremit të majtë si Llafazanis etj., dhe gradualisht të spostohej drejt qendrës së majtë, të lënë bosh nga delegjitimi dhe mungesa e lidershipit nga ana e partisë historike PASOK. Cipras, si politikan race dhe populist i pandreqshëm, duket e pati kuptuar qysh herët në qeverisje këtë bashkëjetesë të pamundur me radikalët e brendshëm dhe mundësinë politike për t’u kthyer në aktor permanent të dorës së parë në një Greqi kaotike, në krizë financiare dhe ekonomike dhe me klasë politike të çoroditur. Duke hedhur zaret drejt një basti të sigurt, edhe falë sistemit elektoral grek që e kthen fituesin relativ në thuajse absolut nëpërmjet bonusit prej 50 deputetësh shtesë dhe ku shumica arrihet mandej kollaj nëpërmjet vazhdimit të koalicionit me Grekët e Pavarur apo To Potamin, Ciprasi ngelet njëherazi popullor me elektoratin, për shkak të zgjedhjes dhe alternativës që u ofron.
Që është politikan pragmatist dhe makiavelist e dëshmoi edhe në fjalimin e dorëheqjes, ku e hapi duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme janë edhe si rezultat i mosrënies dakord me pika të paketës, si privatizimi i korporatës së energjisë, një manovër inteligjente kjo për të defaktorizuar krahun radikal që krijoi grupimin e ri Uniteti Popullor, pasi kjo ishte diçka që ish-ministri i Energjetikës, Llafazanis, kishte kohë që e kishte kundërshtuar, duke i “vjedhur” këtij të fundit një nga kartat kryesore elektorale. Gjithashtu, për shkak të kohës së shkurtër për t’u organizuar dhe mosbashkëngjitjes së kësaj partie të re nga ana e Kryetares së Parlamentit dhe Varufaqisit e bëjnë të pamundur që të jetë një rrezik iminent për Ciprasin. Akoma më pak kjo mund të pritet nga parti gati të shpërbëra si PASOK, ndërkohë që alternativa kryesore e opozitës, që është Demokracia e Re, është në fazë reformimi të brendshëm pas dorëheqjes së Samaras dhe zgjedhjes së Meimarakis.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel