Maqedonia “hap kufirin” për emigrantët. Trena e autobusë për t’i transportuar drejt Serbisë

23/08/2015 00:00

Qindra emigrantë kanë kaluar të papenguar kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë gjatë kësaj të diele, pasi hutuan forcat e sigurisë që duken se kanë braktisur detyrën e tyre për të ndalur fluksin e refugjatëve, që përmes Ballkanit synojnë të mbërrijnë në Europë, pas disa ditësh kaosi dhe konfrontimesh.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë qëndruar në pozicionet e tyre, por kanë bërë shumë pak për të ndalur kalimin e një rryme të jashtëzakonshme emigrantësh, shumica e të cilëve refugjatë nga lufta e Sirisë dhe konflikteve të tjera të Lindjes së Mesme, bën të ditur një reporter i “Reuters” nga vendngjarja.

Maqedonia deklaroi gjendjen e emergjencës gjatë së enjetes dhe mbylli kufirin e saj jugor ndaj emigrantëve që vinin me një “normë” prej 2000 personash në ditë, me synimin për të kaluar tranzit drejt Serbisë e më pas për të siguruar kalimin drejt Hungarisë, si vendi i fundit europian që i hap dyert për në “Schengen”.

Fluksi i madh i emigrantëve solli skena të jashtëzakonshme dëshpërimi e vuajtjesh në kufi, ku burra, gra e fëmijë flinin nën qiellin e hapur dhe me shumë pak ndihma ushqimore apo ujë. Me justifikimin se duhej të kufizonin qasjen e emigrantëve në territorin maqedonas, forcat e ndërhyrjes së shpejtë përdorën edhe gazin lotsjellës dhe tymuese për të zmbrapsur turmat, por ditën e shtunë në mbrëmje ata u tejkaluan në numër nga mijëra e mijëra emigrantë, të cilët thyen kordonët e policisë dhe vrapuan drejt fushave të boshatisura.

Shteti maqedonas, nga ana e tij, vendosi trena shtesë dhe autobusë nga i gjithë vendi, për t’i marrë emigrantët e për t’i dërguar në veri drejt Serbisë, si hapi tjetër i kalvarit të mundimeve të tyre në një udhëtim tejet të gjatë nga Lindja e Mesme, Afrika apo Azia, deri në kufinjtë e Europës.

Grumbulli i emigrantëve i krijuar në Maqedoni, një vend që është përballur edhe me kritika nga agjencitë e ndihmave se nuk ka zgjeruar kapacitetet e saj për të pritur dhe procesuar më tej emigrantët, mbërriti gjatë natës në Serbi, duke mbipopulluar qendrat strehuese të këtij vendi.

Top Channel