Vala e emigrantëve, Shqipëria përforcon masat në kufi

23/08/2015 00:00

Për shkak të valës së emigrantëve, që vijnë kryesisht nga Siria, e që ditët e fundit vërshuan si lumë në Greqi e Maqedoni, policia kufitare shqiptare raportohet se ka përforcuar masat në kufi.

Jo zyrtarisht thuhet se, ndonëse nuk parashikohet që në këtë rast vendi ynë të përdoret si tranzit, duke marrë shkas nga eksperienca e dy viteve të kaluara, ku mjaft sirianë e kanë përdorur vendin tonë si pikë kalimi, në pikat kufitare veçanërisht në jug kanë nisur inspektimet.

Gjatë së shtunës, nga burime të pakonfirmuara thuhet se, zyrtarë të policisë kufitare kanë inspektuar pikën kufitare të Kapshticës dhe të Kakavijës, ku deri më tani situata duket e qetë dhe nuk ka dyndje të emigrantëve nga vendet e Lindjes, për ta përdorur Shqipërinë si një korridor kalimi me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Dy vitet e fundit, mjaft emigrantë nga Siria dhe Afganistani, në tentativë për të kaluar drejt Malit të Zi e më tej për në Europë, kanë përdorur Shqipërinë si vend tranziti.

Gjatë kësaj periudhe kontrollesh u raportua edhe mbipopullim në Qendrën e posaçme të Karecit, ku edhe mbaheshin përkohësisht refugjatët. Këtë vit, ata kanë zgjedhur si korridor kalimi itinerarin Turqi-Greqi-Maqedoni-Serbi, duke shmangur Shqipërinë.

Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se, nëse vala e refugjatëve do të orientohej nga Shqipëria, ky do të ishte një problem shumë i madh.

Top Channel