Kosovë, arrestohet prokurorja e Krimeve të Rënda për shpërdorim detyre dhe ryshfet

23/08/2015 00:00

Njësiti i hetimeve të krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës ka arrestuar të shtunën, rreth orës 22:00, prokuroren e Krimeve të Rënda, Vahide Badivuku.

Badivuku është arrestuar pas dyshimeve për “shpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”.

Arrestimi i prokurores Badivuku është konfirmuar për Top Channel nga zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Përmes telefonit, ai tha se përveç prokurores në fjalë janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, në vendndodhje të ndryshme, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.

Vahide Badivuku ishte prokurore në çështjen e Gani Gecit, i dyshuar për vrasje.

Top Channel