Rindërtimi i çerdheve në Tiranë, Veliaj: Ftesë prindërve dhe qytetarëve për kontribut

23/08/2015 00:00

Deri në fund të kësaj jave, 31 çerdhe, që rrezikonin të mbeteshin të parikonstruktuara për shkak të borxheve të krijuara nga administrata e mëparshme e bashkisë, pritet të jenë gati.

Thirrjes së kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, “Adopto një çerdhe”, i janë përgjigjur 31 kompani, ndërkohë që i janë bashkëngjitur edhe të rinj vullnetarë, që po ndihmojnë për përfundimin e punimeve deri në fund të muajit gusht.

Në mungesë të fondeve, kryetari i Bashkisë Veliaj ka bërë sërish një thirrje për qyetarët apo prindërit, që do të dërgojnë fëmijët në këto çerdhe.

“Më vjen mirë që nga thirrja që bëmë, nga apeli për bujari, janë përgjigjur 31 kompani. Më vjen mirë që të gjitha çerdhet janë sot zyrtarisht të ‘adoptuara’ dhe deri në fund të javës tjetër ne do të kemi çerdhe shumë më dinjitoze, nga ato që gjetëm kur morëm detyrën. Më vjen mirë gjithashtu, që shumë vullnetarë i janë bashkuar nismës, sepse besoj se në një qytet që ka probleme me financat, nuk duhet të ketë probleme me bujarinë dhe me zemërgjerësinë e atyre që duan të japin një kontribut. Ndaj dua të bëj një thirrje publike që, fundjavën tjetër, të gjithë prindërit që do të çojnë fëmijët në këto çerdhe, çdo anëtar i komunitetit që do të jetë vullnetar, mund të vijë në një nga çerdhet që po riparohen, të na japë një dorë. Mund të dhurojnë shumëçka, lule, pemë, lodra, apo orë pune. Kjo është mënyra më e mirë sesi ne të mund t’i përgjigjemi situatës, ku ndodhet aktualisht Bashkia e Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj.

Në kushtet, në të cilat ndodhej Bashkia e Tiranës ishte e pamundur – u shpreh Veliaj, – të mund të bëheshin rregullimet e duhura në të 31 çerdhet. Borxhi i bartur përllogaritet afërsisht në 30 milionë dollarë, pagesa këto të pabëra ndaj kompanive të kontraktuara nga administrata e mëparshme e bashkisë.

Top Channel