F1, Hamilton dominon në Spa, Rosberg i dyti. Goma i mohon podiumin Ferrarit të Vettel

23/08/2015 00:00

Lewis Hamilton ka zhvilluar një garë perfekte për të fituar Çmimin e Madh të Belgjikës, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Nico Rosberg. Mercedesi ishte i vetëm në këtë pistë dhe nuk pati asnjë rival nga fillimi deri në fund. Të vetmet parakalime i kreu Rosberg, i cili pas një nisjeje të gabuar u desh të rekuperonte me disa parakalime për t’iu bashkuar shokut të skuadrës në krye.

Në vendin e tretë në podium u ngjit francezi i Lotusit, Romain Grosjean, i cili përfitoi nga incidenti që ndodhi 2 xhiro nga fundi me Sebastian Vettel. Goma e gjermanit u shpërbë duke mos e çuar deri në fund objektivin që kishte Ferrari për të zbatuar strategjinë me vetëm 1 pit stop.

Pas Grosjean, në vendin e katërt u rendit rusi i skuadrës Red Bull, Daniil Kvyat, i cili bëri gjithashtu një garë shumë të mirë, aq sa arriti të lërë pas si Perez ashtu edhe Felipe Massa.

Në vendin e shtatë u rendit Kimi Raikkonen, i cili e filloi këtë garë i 16-ti.

Gara e radhës do të jetë Çmimi i Madh i Italisë, pas dy javësh.

FOTO GALERI
1/10
Pamje nga nisja e garës. Hamilton udhëheq pilotët

Top Channel