Zvicër, përplasen dy avionë të vegjël gjatë shfaqjes ajrore

23/08/2015 00:00

Pas një kontakti në ajër me njëri-tjetrin gjatë një shfaqje ajrore, dy avionë të vegjël janë rrëzuar të dielën në veri të Zvicrës.

Autoritetet zviceranë kanë bërë të ditur se si pasojë e këtij aksidenti ajror ka mbetur i vdekur një person, ndërsa ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 minuta. 

Shfaqja ajrore në fshatin Dittingen, pranë Bazelit, u ndërprenë përkohësisht, ndërsa ekipet e shpëtimit nxituan në vendin e ngjarjes për t’i ardhur në ndihmë personave të lënduar.

Mediat zvicerane raportuan se njëri nga pilotët ka arritur të hidhet me parashutë. Nuk dihet nëse ka persona të tjerë të lënduar.

Një ditë më parë në Shoreham të Anglisë, të paktën 11 persona mbetën të vdekur kur një avion Hawker Hunter u rrëzua mbi një rrugë me trafik duke goditur disa automjete gjatë një shfaqjeje ajrore.

Fillimisht u raportua për 7 të vdekur dhe 13 të plagosur, ku disa prej tyre ishin në gjendje të rëndë, por gjatë së dielës ndërruan jetë edhe 4 prej personave të plagosur.

Top Channel