Tensioni mes Koreve, vazhdojnë bisedimet në kufi

23/08/2015 00:00

Takimi i niveleve të larta të dy Koreve duket se po zhvillohet në sekret të plotë. E vetmja gjë që mund të kuptohet është gatishmëria e lartë ushtarake nga të dyja anët.

Nga ana kufitare e Koresë së Veriut janë shtuar në masë trupat e këmbësorisë dhe e njëjta situatë dallohet edhe përtej.

Gjithashtu, avionët ende fluturojnë në qiell. Kjo ka bërë që Koreja e Jugut të marrë vendimin për evakuimin e rreth 4000 banorëve pranë zonës ku po zhvillohen bisedimet e prania ushtarake është e shumtë.

Asnjë media nuk është lejuar të hyjë në zonën e demilitarizuar në kufi të vendeve për të marrë vesh të rejat më të fundit. Edhe pse bisedimet zgjasin prej dy ditësh asnjë informacion nuk ka dalë mbi ecurinë e tyre.

Tensionet që çuan në bisedime nisën në fillim të muajit kur dy ushtarë të trupave të Koresë së Jugut u lënduan në kufi nga predhat e vendosura aty për të cilat u akuzua Koreja e Veriut e që nuk e ka pranuar një akuzë të tillë.

Kjo solli edhe nisjen e transmetimeve tre orëshe nëpërmjet blloqeve të altoparlantëve në kufi të cilat transmetojnë gjatë ditës buletine lajmesh, parashikimin e motit dhe muzikë vendase.

Para nisjes së takimeve dypalëshe, Koreja e Veriut kishte kërkuar fikjen e tyre se konsiderohen si pjesë e propagandës, gjë që nuk ka ndodhur ende.

Top Channel