Papa Françesku, thirrje për paqe në Ukrainë

23/08/2015 00:00

Gjatë celebrimit të Meshës së të dielës në sheshin “Shën Pjetër”, Papa Françesku u ndal për një apelim mbi çështjen e Ukrainës, që sikurse tha ai, situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë.

“Të dashur vëllezër dhe motra, me shqetësim të madh po e ndjek konfliktin në Ukrainën Lindore që po rëndohet gjithnjë e më shumë këto javët e fundit. Dua ta përsëris apelin tim për respektimin e marrëveshjes që të arrihet paqja”, ka thënë Papa Françesku.

Thirrja e Papës vjen një ditë para festes kombëtare të pavarësisë së Ukrainës. Gjatë ditës, edhe presidenti i saj Petro Poroshenko doli përpara popullit me një fjalim ku u kërkoi të gjitha forcave politike të mbështeten në planet e tij për ndryshimet kushtetuese që kanë si qëllim përfundimin e konfliktit në lindje të vendit dhe mposhtjen e atyre që ai i quajti “agresorët rusë”.

“Thirrja ime shkon për të gjitha forcat politike në vend, e në radhë të parë për ata që ndodhen në Parlament. Le të bashkohemi, për të mirën e Ukrainës”, bëri thirrje Poroshenko.

Gjate konfliktit në Ukrainë kanë humbur jetën deri më sot rreth 6500 vetë, ndër të cilët qindra civilë.

Top Channel