Greqia transferon refugjatët; nga ishujt transportohen me tragete drejt porteve

23/08/2015 00:00

Tragetet prej nga ku zbresin mijëra emigrantë po zbarkojnë këto ditë në Portin e Pireut në Athinë. Vetëm mëngjesin e së dielës kanë zbritur rreth 2500 emigrantë, bëjnë me dije autoritetet portuale.

Tragetet kanë si synim shpërnguljen e tyre nga ishujt pranë kufijve me Turqinë, që janë të tejmbushur tanimë nga prurjet e shumta çdo ditë.

Kjo ndodh pasi atje mungojnë kushtet e jetesës dhe t’i shërbesh është shumë më e vështirë sesa gjetkë.

Tragetet janë të porositura nga shteti helen dhe shërbejnë edhe si qendër regjistrimi për të ardhurit, kryesisht në ishullin Kos.

Greqia është përballur sivjet me prurje të mëdha emigrantësh me prejardhje nga Siria dhe Lindja e Mesme. Shumica e tyre nuk duan të qëndrojnë në vendin e trazuar nga kriza financiare, por tentojnë që nëpërmjet vendeve të Ballkanit të arrijnë në shtetet e Europës Qendrore.

Top Channel