Rekomandimet e Euralius për KLD-në: Arrestimi i gjykatësve, Prokuroria të sjellë edhe prova

23/08/2015 00:00

Atëherë kur Prokuroria kërkon fushë veprimi të lirë në mënyrë që të kryejë hetime të shpejta antikorrupsioni në Gjyqësor , misioni Euralius në një raport të fundit sugjeron që ligjvënësi të ofrojë garancitë e nevojshme për gjyqtarët.

Në këtë raport që Top Channel disponon, misioni Euralius shprehet për maturi, duke rekomanduar që të parashikohet me ligj, që pozicioni i Prokurorisë  kur kërkon autorizim nga KLD-ja për arrestim gjyqtari, të mos jetë aq i lehtë sa deri më tani. Sipas Euralius, duhet të paraqitet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë jo vetëm me raport me anë të të cilit kërkohet autorizimi për arrestim, por të bashkëngjisë edhe provat për dyshimet përkatëse.

Ky rekomandim vjen menjëherë pas arrestimeve në kushtet e flagrancës të gjyqtarëve Parashqevi Ademi dhe Rasim Doda, për dyshimet se kishin konsumuar veprën e korrupsionit.

Pas këtyre arrestimeve, në fakt kanë qenë vetëm anëtarët që kanë kërkuar komente për nenin 21 të ligjit të KLD-së. Në fakt, dilema e anëtarëve erdhi pas mbledhjes në KLD për të dhënë autorizim për arrestimin e gjyqtares Parashqevi Ademi, e cila u kap në flagrancë teksa po ndante një shumë lekësh së bashku me një avokat.

Një pjesë e anëtarëve kërkuan që ashtu si dosja i paraqitet Gjykatës për masë sigurie, në të njëjtën mënyrë të dhënat duhet t’i paraqiten edhe Këshillit. Mendimi kundër në këtë mbledhje ishte nga pjesa tjetër e anëtarëve. Ligji thotë që Prokurori kërkon autorizim nëse ka prova dhe jo që provat duhet t’i paraqiten KLD-së.

Euralius thotë se kur një gjyqtar arrestohet në flagrancë, Prokurori duhet të kërkojë autorizimin menjëherë dhe në çdo rast para seancës vlerësuese nga Gjykata. Por sipas ligjit, shton Euralius, parashikon dy lloje të ndryshme shqyrtimi të një arrestimi, edhe është Gjykata ajo që vlerëson ligjshmërinë e arrestimit. Ndërsa kërkesa për autorizim ka një objektiv tjetër që ka lidhje me pikëpyetjen: A cënon ky arrestim imunitetin e gjyqtarit?

Për Euralius mund të konsiderohet e përshtatshme që të parashikohet me ligj paraqitja e provave, bashkë me raportin, kur ato janë të disponueshme dhe kur kjo paraqitje nuk vë në rrezik hetimin, boshllëk që duhet të rregullohet nga ligjvënësi. Në rekomandimin e dytë, Euralius sugjeron rishikim nga ligjvënësi edhe për mbledhjet e KLD-së si organ kolegjial kur ato janë të vështira të realizohen në kushtet e urgjencës apo të rrethanave të paparashikuara.

Top Channel