ISIS shkatërron me eksploziv tempullin Baalshamin në Palmira

24/08/2015 00:00

Zyrtarë sirianë dhe aktivistë të mbrojtjes së trashëgimive kulturore kanë bërë të ditur se militantët e Shtetit Islamik kanë shkatërruar tempullin antik të Baalshaminit në qytetin e Palmirës.

Kreu sirian i sendeve antike është cituar të ketë thënë se tempulli është hedhur në erë gjatë së dielës, kurse Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) raportoi se një gjë e tillë ka ndodhur rreth një muaj më parë.

Shteti Islamik ka marrë nën kontroll qytetin antik të Palmirës që prej muajit maj, duke përhapur frikën se grupi xhihadist mund të shkatërrojë vendin e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO.

Xhihadistët kanë shkatërruar disa prej vlerave antike më të mëdha në Irak, ndërsa tashmë i është kundërvënë edhe atyre në Siri.

“Shteti Islamik vendosi një sasi të madhe eksplozivi në tempullin e Baalshaminit sot (e diel) dhe më pas e shpërthyen atë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në të”, tha shefi i objekteve antike të Sirisë, Maamoun Abdulkarim, për agjencinë e lajmeve AFP. “Pjesa e brendshme e tempullit është shkatërruar thuajse totalisht, ndërsa kolonat përreth saj janë rrëzuar”.

Palmira është një prej vendeve më të njohura për objektet antike të ruajtura më së miri që prej periudhës greko-romake.

Top Channel