Franca nderon me medaljet e Napoleonit, heronjtë e sulmit të shmangur terrorist

24/08/2015 00:00

Tre shtetasit amerikanë dhe një britanik, të cilët bënë të mundur shmangien e një sulmi të dyshuar terrorist ndaj një treni në Paris, kanë marrë vlerësimin më të lartë të Francës, të dorëzuar nga Presidenti Francois Hollande.

Hollande iu dorëzoi medaljet e “Legjionit të Nderit” amerikanëve Spences Stone, Alek Skarlatos, Anthony Sadler dhe britanikut Chris Norman, në një ceremoni të së hënës në pallatin presidencial të Elysee-së.

Edhe dy pasagjerë të tjerë të paidentifikuar me emra do të marrin të njëjtin vlerësim në një tjetër ditë të mëvonshme. Të gjithë këta shtetas ishin pasagjerë të rastit në trenin e shpejtësisë së lartë që ishte nisur nga Amsterdami me destinacion Parisin, ditën e premte, ku një radikal islamik tentoi të kryente një akt terrorist por u bllokua prej tyre.

Autoritetet franceze kanë marrë në pyetje të dyshuarin, shtetasin maroken Ayoub El-Khazzani, 25 vjeç.

Presidenti Hollande iu vari medaljet në gjoks 4 pasagjerëve në fjalë këtë mëngjes në Paris, teksa përpara kësaj, ai ishte shprehur: “Jemi këtu për të nderuar 4 persona, të cilët falë guximit dhe zotësisë së tyre arritën të shpëtonin jetë njerëzish. Në emër të Francës, do të doja t’iu falënderoja të gjithëve. E gjithë bota iu admiron për këtë që keni bërë dhe diçka e tillë duhet të jetë shembull për të gjithë ne të tjerët. Ju rrezikuat jetët tuaja për të ndihmuar lirinë e disa të tjerëve”.

Më pas Hollande përshkroi edhe diçka rreth incidentit. “Një terrorist tentoi të kryente një sulm. Kishte mjaftueshëm armë dhe municione për të shkaktuar dëme të konsiderueshme, diçka që nuk e bëri falë ndalimit që i bëtë ju, duke vendosur jetët tuaja në rrezik. Na keni dhënë të gjithëve ne një leksion kurajoje, vullneti dhe shprese. Përballë një ‘djalli’ të quajtur terrorizëm, kjo është gjëja më e mirë që mund të ndodhte dhe quhet humanizëm. Ju jeni mishërim i humanizmit”.

Kryeministri belg, Charles Michel, dhe ambasadori i SHBA-ve në Francë, Jane Hartley, ishin pjesëmarrës në ceremoni, së bashku me kreun e firmës franceze të hekurudhës, SNCF.

“Legjioni i Nderit” është një medalje vlerësuese e themeluar prej Napoleon Bonapartit në 1802. Vlerësimi është i ndarë në 5 kategori, ndërsa pasagjerët do të marrin atë të “kavaljerit”, kategoria më e zakonshme.

Top Channel