Informaliteti, biznesi: Të mbështesim qeverinë. Na shpëton nga korrupsioni e abuzimi

24/08/2015 00:00

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, në një dalje të posaçme para mediave i ka bërë thirrje biznesit, që t’i bashkëngjitet aksionit të qeverisë në luftën kundër informalitetit.

“Do të doja të inkurajoja dhe të informoja çdo sipërmarrës të vogël apo të madh, që informaliteti dhe evazioni fiskal nuk janë asgjë tjetër veçse makthi i tyre. Është sakrificë dhe aventurë për të qenë informal dhe njëkohësisht është nënshtrim, përulje ndaj inspektorëve dhe sistemeve të korruptuara”, u shpreh Nikolin Jaka.

Nikolin Jaka tha se, lufta ndaj informalitetit do ta shkëpusë sipërmarrjen një herë e përgjithmonë nga ankthi 25-vjeçar i korrupsionit dhe abuzimit të tatimorëve.

“Në mënyrë që të heqim qafe atë taksidarin e korruptuar, i cili në mënyrë të padrejtë jo vetëm merr ryshfet, por krijon edhe gjendje stresuese të sipërmarrësve shqiptarë”, deklaroi më tej Jaka.

Por, ndonëse shprehu mbështetjen e plotë për operacionin, që nis më 1 shtator, Jaka paralajmëroi se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë do ta mbikëqyrë nga afër atë dhe do të denoncojë çdo abuzim.

“Duhet të jemi të kujdesshëm për ta ndjekur procesin dhe njëkohësisht duhet të jemi me vullnet pozitiv për të dhënë mbështetjen e duhur për nismat e duhura. Nëse kjo do të deformojë gjatë rrugës, atëherë mund të kemi edhe të gjitha hapësirat e mundshme për të bërë kritikat e duhura”, tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Aksioni i paralajmëruar i qeverisë për luftën kundër informalitetit është mbështetur publikisht nga të gjitha shoqatat kryesore të biznesit.

Top Channel