Refugjatët, Merkel-Hollande: Kriza më e madhe në 50 vitet e fundit në Europë

24/08/2015 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Presidenti francez, Francois Hollande, takohen sot në Berlin për të diskutuar mbi mënyrat sesi të kontrollohet vala e refugjatëve, që po hyjnë në Europë.

Fluksi i njerëzve që kërkojnë azil është më i madhi në 50 vitet e fundit. Kriza, e spostuar në fokusin e udhëheqësve europianë, i nxit ata që të diskutojnë rreth strategjive për zgjidhjen e këtij ngërçi.

Nga sa pohon ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, Merkel dhe Hollande do të përpiqen t’i ofrojnë një stimul të ri reagimit të Bashkimit Europian ndaj mijëra emigrantëve, që vazhdojnë të mbërrijnë në brigjet e Europës.

107 mijë vetë llogaritet të kenë hyrë vetëm muajin e kaluar, çka ngjall frikën se blloku mund të mos jetë në gjendje t’i bëjë ballë kësaj situate.

Në tryezën e bisedimeve Merkel-Hollande do të shtrohet mundësia e një harmonizimi të strategjive mbi politikat e azilit, si dhe të mendohet për një politikë të kompletuar tërësore europiane sa i takon përballjes me azilkërkuesit.

Ndër prioritetet e tjera të të dy udhëheqësve do të jetë dhe hartimi i një liste vendesh, shtetasit e të cilëve nuk do të përfitojnë të drejtë azili në Europë. Gjithashtu ka edhe plane për ngritjen e qendrave të pritjes në Greqi dhe Itali, të cilat të ndihmojnë në identifikimin e emigrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve.

Bisedimet vijnë pas refuzimit, që anëtarët e BE-së i bënë propozimeve të kreut të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, për vendosjen e një sistemi kuotash të detyrueshme pranimi të refugjatëve.

Mesdheun llogaritet ta kenë kaluar këtë vit 250 mijë emigrantë dhe Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin bën të ditur se, deri në fund të vitit, kjo shifër do të shkojë në më shumë se 300 mijë.

Top Channel