Ministri Bushati viziton shqiptarët e prekur nga përmbytjet në Maqedoni

24/08/2015 00:00

Pak pas përmbytjeve të fillimgushtit në Tetovë të Maqedonisë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati vizitoi shqiptarët atje, për të cilët qeveria jonë akordoi fond ndihme, së bashku me një sërë institucionesh të tjera shqiptare.

Kryetarja e komunës së banuar me shumicë shqiptare, Teuta Arifi vlerësoi ndihmën e shtetit shqiptar, ndërkohë që për Bushatin ndihma është detyrim kushtetues i Shqipërisë për shqiptarët në rajon.

“Shfrytëzova rastin për ta falenderuar për mbështetjen nga shteti shqiptar në këtë situatë emergjente. Kryqi i Kuq Shqiptar ishte nga të parët që ndihmoi. Kjo tregoi vlerat e të qënit shqiptar”, tha Arifi.

“Për ne është detyrim kushtetues për t’i qëndruar sa më pranë qytetarëve të Tetovës”, u shpreh Bushati.

Shipkovica dhe Recisa e Madhe ishin dy nga fshatrat e banuar nga shqiptarë të goditura më rëndë nga përmbytjet. Ndalesa në këto dy fshatra e ministrit të Jashtëm shqiptar nxori në rrugë të gjithë banorët për të pritur të dërguarin e Tiranës.
 
Për ministrin Bushati, më i vështirë qe ngushëllimi i familjeve që humbën të afërmit e tyre nga përmbytjet, ndërsa tha se shteti shqiptar do të jetë krah tyre me vëmendjen dhe ndihmën e duhur.

Top Channel