Refugjatët sirianë, nga ishujt grekë drejt Gjermanisë përmes Ballkanit

24/08/2015 00:00

Mbi 1000 emigrantë kaluan nga Maqedonia në Serbi mëngjesin e kësaj të hëne, diku në afërsi të fshatit Miratovac. Në Preshevën fqinje, ata i presin anëtarët e komisariatit serb të refugjatëve dhe emigracionit për verifikime, përpara se t’i nisin me autobusë drejt veriut të vendit.

Vetëm një ditë më parë, kufirin mes dy shteteve e kaluan plot 5000 persona. E mbytur nga vala e refugjatëve, Maqedonia nuk pati zgjidhje tjetër përveç se të dorëzohej përballë fluksit të pashtershëm të të mbërriturve, të cilët i ka lejuar të vërshojnë drejt Serbisë.

Të enjten, Shkupi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe e mbylli kufirin jugor, duke lejuar të kalonin vetëm 2000 njerëz në ditë. Megjithatë, të ardhurit tejmbushën shumë shpejt stacionin hekurudhor kryesor në kufi dhe qeveria konservatore maqedonase, prej kohësh në një marrëdhënie tejet të tensionuar me Athinën, tha se me këtë u mbush kupa.

Skenat e dëshpëruara të përballjes së turmave me forcat e rendit do të kulmonin të shtunën, kur refugjatët e shumtë në numër çane radhët e policisë.

Emigrantët nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia pritet ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre duke lëvizur drejt veriut, nga ku të kalojnë në këmbë në Hungari dhe në zonën pa kontrolle kufitare të Schengenit.

Pjesa dërrmuese e tyre kanë qëndruar për ditë të tëra në qiell të hapur, pa ujë e ushqime, ndërsa mbyllja e kufirit maqedonas e shtoi dramën e këtyre njerëzve, ndaj të cilëve forcat e sigurisë përdorën edhe tymuese e gaz lotsjellës.

Me mijëra emigrantë të tjerë priten të mbërrijnë në Serbi, pasi Greqia nisi mbledhjen e refugjatëve nga ishujt, ku ishin dërguar fillimisht, e kthimin e tyre në pjesën kontinentale, prej nga ku i lejon të vazhdojnë rrugëtimin gjetkë.

Vetëm në muajin korrik, 50 mijë persona të nisur nga Turqia shkelën në tokën greke, duke e sjellë jehonën e konflikteve të Lindjes së Mesme në brigjet e Europës. Në këtë mënyrë, 2500 sirianë u transportuan të dielën nga ishulli Lezbos drejt qytetit portual të Pireut. Një prej tyre i tregoi agjencisë së lajmeve “Reuters” se ku synon të shkojë, ndërsa një tjetër falenderon grekët për mikpritjen.

“Po shkoj në Gjermani, sepse atje kam familjen. Grekët janë njerëz shumë të mirë. Falenderime të veçanta për qeverinë e Athinës”, tha një emigrante femër nga Siria.

“Kemi ardhur nga Siria dhe këtu qëndruam për 4 ditë. Vendi është i mirë, por trageti u vonua disa ditë”, tha një tjetër emigrant.

Greqia, e zhytur në krizë ekonomike, u gjend e papërgatitur përballë fluksit të jashtëzakonshëm të emigrantëve të mbërritur në brigjet e saj, numri i të cilëve këtë vit i kapërceu shifrat 160 mijë, tri herë më e lartë se në 2014-n.

Top Channel