Gjermani, De Maiziere dënon dhunën kundër refugjatëve pas trazirave në Drezden

24/08/2015 00:00

Pas një nate të dytë përleshjesh mes protestuesve dhe forcave të policisë, përpara një qendre strehimi të refugjatëve në qytetin e Drezdenit, ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere bëri thirrje për frenimin e simpatizantëve të ekstremit të djathtë e të racistëve.

Vetëm një ditë pasi 31 efektivë u plagosën gjatë demonstratës së dhunshme kundër azilkërkuesve, forcat e rendit krijuan një zonë sigurie rreth qendrës që strehon emigrantët. Situata mbetet e tensionuar, edhe pasi policia përdori gazin lotsjellës e lëndë paralizuese ndaj radikalëve të ekstremit të djathtë, që rriheshin me protestues majtistë.

Trazirat në Drezden kanë shtyrë zëvendëskancelarin Sigmar Gabriel, që të vizitojë gjatë kësaj të hëne qytetin.

E ndërsa Europa po përballet me një fluks rekord emigrantësh nga Siria e Iraku, të kthyer në shqetësim për vetë stabilitetin e saj, politikanët gjermanë u druhen pasojave financiare dhe sociale, që do të ketë ky vërshim njerëzish mbi vendin e tyre, i cili është dhe më i lakmuari prej azilkërkuesve.

Angela Merkel e cilësoi këtë ngërçin më të madh, me të cilin përballet Bashkimi Europian sot, duke kapërcyer edhe krizën e borxhit grek. Por shqetësim po mbjell edhe një tjetër fenomen i lidhur me situatën: agresiviteti i shtuar ndaj të huajve.

Vetëm në gjysmën e parë të vitit, 150 raste djegiesh e sulmesh të tjera janë regjistruar ndaj qendrave të emigrantëve, ngjarje këto që e kanë shtyrë ministrin e Drejtësisë, Heiko Maas, të deklarojë se nuk do të ketë asnjë lloj tolerance ndaj ksenofobisë e racizmit.

Ky vërshim i jashtëzakonshëm refugjatësh nga Lindja e Mesme e Afrika e Veriut i detyrohet sa periudhës së verës, kur deti më i qetë favorizon lundrimin, aq edhe kaosit që ka përfshirë Libinë, vendi nga ku nisen shumica e anijeve me klandestinë.

Por ka dhe një arsye tjetër: edhe pse qëllimi i tij është mëse humanitar, operacioni “Mare Nostrum” në njëfarë mënyre po nxit fluksin e atyre që vërshojnë drejt Europës, të cilët nuk e kanë me frikën se do të humbasin jetën në Mesdhe, pasi nisen me bindjen se do të shpëtohen nga Roja Bregdetare italiane.

Top Channel