Dortmundi kryeson pas dy javësh në Bundesliga, falë golavarazhit

24/08/2015 00:00

E diela e javës së dytë të Bundesligës pati në program dy sfida, atë mes Ingolstadtit, të sapongjitur në elitën e futbollit gjerman, dhe Dortmundit, si dhe përballjen mes Gladbachut dhe Mainzit.

Nisja pozitive e këtij sezoni nga Dortmundi ka vijuar me një tjetër fitore të pastër 4-0 ndaj bavarezëve të Ingolstadt, ndërkohë që kryesojnë tashmë Bundesligën falë golavarazhit më të mirë sesa Bayern Munchen dhe Bayer Leverkusenit.

Kjo ishte fitorja e 6 radhazi në të gjitha kompeticionet për verdhezinjtë, nën drejtimin e trajnerit të ri Thomas Tuchel – që zëvendësoi të larguarin Jurgen Klopp, – falë golave Matthias Ginter, Marco Reus, Shinji Kagaëa dhe Pierre-Emerick Aubameyang, të gjithë gjatë pjesës së dytë.

Ndeshja tjetër mes Gladbahut dhe Mainzit ka përfunduar me fitoren e miqve 2-1, pavarësisht se vendasit e kërkuan me ngulm golin e fitores kur ndeshja ishte në barazim 1-1.

Top Channel