Berisha: Shqiptarë, mos u largoni. Emigrimi, tregues i dështimit të qeverisë

24/08/2015 00:00

“Edi Rama është vrasës i shpresës së mijëra shqiptarëve”. Sali Berisha nuk lë vend për ndonjë pikëpyetje, kur flet për përgjegjësin e eksodit të shqiptarëve drejt Gjermanisë.

“Nëse ti mburresh se ke prishur 9 mijë banesa, cili shqiptar ndjehet i sigurt nga arbitrariteti yt? Çdo shqiptar thotë se forca e shtetit do të mund të më rrënojë dhe se ky vend nuk bëhet. Nëse ti rreshton kriminelë në Parlament e administratë, cili shqiptar mendon se këtu ka të ardhme për jetën e tij? Këtu vritet shpresa çdo ditë”, thotë Berisha.

Ish-kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve të mos largohen nga vendi, jo vetëm se nuk do të marrin azil në Gjermani, por edhe sepse shpresa, pavarësisht situatës dëshpëruese, duhet rigjetur në vend.

“Eksperienca ime më thotë se në çdo lloj momenti një rreze shprese ekziston dhe atë duhet ta kërkosh. Ky vend do të dalë nga kjo spirale vetëm me një revolucion demokratik, me një lëvizje të fuqishme të qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk largohen prej saj deri në momentin që kjo qeveri të arkivohet në histori. Me Edi Ramën nuk ka shpresë”, shprehet ish-kryeministri.

Përsa i përket faktorit “Greqi”, që kryeministri ka artikuluar tani si vend të origjinës së azilkërkuesve shqiptarë, Sali Berisha i bëri thirrje Edi Ramës të veprojë përpara se Europa të rikthejë regjimin e vizave për shqiptarët.

“Greqia ka qenë në krizë të thellë edhe në vitin 2012 dhe në zyrat e azilkërkimit gjerman janë paraqitur vetëm 250 shqiptarë. Të marrë të gjitha përgjegjësitë. Të mbledhë urgjent qeverinë dhe të gjitha institucionet për të reaguar në lidhje me këtë çështje. Mendoj se në një të ardhme të afërt do të rikthehet sistemi i vizave. Ai është bërë problem sa Asadi me azilkërkues”, thotë Sali Berisha.

Sfida e refugjateve do të jetë një ndër çështjet e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjene, por përveçse e sheh Shqipërinë dhe Kosovën në një pozicion të pafavorshëm për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve, ish-kryeministri shprehu shqetësimin edhe për projektet me të cilët po përfaqësohet Shqipëria në samit. Sipas zotit Berisha, në listën e projekteve mungon ai më i rëndësishmi, i vetmi që shfrytëzon maksimalisht pozicionin strategjik të Shqipërisë, hekurudha që lidh Shqipërinë me Kosovën.

“Hekurudha është përgjigja përfundimtare. Ajo i bën portet tona, portet më të afërta për Kosovën, për Maqedoninë, për Bullgarinë Perëndimore, për Rumaninë Perëndimore, për Serbinë, për Hungarinë. Autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk mund të gjejnë një segment më të dobishëm për ndërtim se hekurudha Milot-Prizren”, thotë Berisha.

Ish-kryeministri thotë se projektet e Shqipërisë në samit janë amatoreske ose me interes elektoral.

“Ky përparësitë i ka sikur të ishte një analfabet. Nuk mund të shkojë qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës me projekt tjetër më të rëndësishëm sesa hekurudha. Hekurudha është e kushtueshme, por është një mundësi e madhe dhe plotësisht e mundshme për t’u ndërtuar”, përfundon Berisha.

Top Channel