Durrësi sipas “Summer Fest”

24/08/2015 00:00

Durrësi është një qytet me origjinë të lashtë. Epidamn- Dyrrah, u ndërtua nga Ilirët Taulantë. Vendndodhja e favorshme e ka kthyer në një pikë kyçe, me një rol të rëndësishëm gjeopolitik në të gjitha kohërat.

Sips Aristotelit, qyteti përgjatë periudhës klasike (480-355 para Kr.) qeverisej nga institucione politike e juridike mjaft të ngjashme për nga natyra me ato të Athinës.

Dëshmitë e një qyteti me histori 3000 vjeçare gjenden sot anë e mbanë Durrësit, çka për shumëkënd përfaqëson një muze të hapur! Me qendrat historike, arkeologjike dhe plazhet e bukura, ky qytet është një prej destinacioneve turistike më të rëndësishme në Shqipëri.

“Vizitorët në Durrës nuk mund të shijojnë vetëm peizazhet e mrekullueshme dhe plazhet e bukura, por mund të shohin edhe pjesë të arkeologjisë dhe historisë së vendit tonë. Durrësi është kthyer në një atraksion i rëndësishëm turistik dhe kjo vërtetohet edhe nga agjencitë e kompanive të kroçerave, që herë pas here prekin bregdetin e Durrësit”,- thotë Brunilda Liçaj, pedagoge në UAMD dhe eksperte turizmi.

Numri i turistëve në qytet ka ardhur në rritje nga viti në vit. Durrësi nuk është vetëm destinacioni më i preferuar për kryeqytetasit, shqiptarët e Kosovës apo të Maqedonisë, por së fundmi një zgjedhje ideale edhe për shumë turistë europianë. Claire Malcomson, ka ardhur nga Londra e Anglisë për të
vizituar Shqipërinë. Pas një turi 7 ditor në vendin tonë, ajo është ndalur në Durrës për të shijuar plazhet dhe historinë e qytetit.

“Shqipëria është një vend shumë i lirë. Kam vizituar shumë qytete përgjatë një jave, si Krujën, Beratin etj., dhe kam marrë kartolina nga çdo qytet pasi më kanë pëlqyer shumë. Jemi ndalur në Durrës, një qytet që më pëlqen jashtëzakonisht. Kam vizituar pjesën e vjetër të qytetit që është shumë interesante. Plazhi më duket i pastër, nuk ka dallgë të mëdha, njerëzit janë mikpritës dhe koha këtu është shumë më e mirë se në Londër”,- thotë Malcomson.

Vizita në qytet nuk mund të mos nisë nga Amfiteatri, një monument unikal për Shqipërinë dhe jo vetëm. Amfiteatri i Durrësit ka trajtë elipsi dhe është ndërtuar në fillim të shek. II pas Krishtit, pranë qendrës tradicionale të qytetit, në terren fushor dhe pjesërisht në kodër. Dikur në të uleshin rreth 15-20 mijë shikues që ndiqnin ndeshjet midis gladiatorëve.

Por gjurmët antike të qytetit mund të gjenden edhe në Muzeun Arkeologjik. Ekspozita me pavionet sipas periudhave historike shfaq gjetje që nga prehistoria dhe në rend kronologjik tregon pandërprerje historinë e pasur të qytetit. I rikonstruktuar, ky muze mund të vizitohet këtë verë edhe gjatë pasdites.

“Në këtë muze gjenden vlera shumë të mëdha, siç është skulptura në qendër të saj, një perëndeshë unikale në gjithë muzetë e botës për përmasat dhe platformën që ka. Muzeu Arkeologjik është i ndarë në tre kate, në periudhën prehistorike, helenistike dhe romake. Të gjitha këto objekte janë gjetur në qytetin e Durrësit dhe përreth”,- thotë Bledar Bica, punonjës në DRKK Durrës.

Për Kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako, Durrësi ofron jo vetëm turizmin e rërës dhe ujit, apo atë arkeologjik, por edhe një jetë të pasur artistike çka do t’i bënte pushimet të paharrueshme.

“Padyshim që është qyteti më i bukur i vendit, që ofron shumë për t’u vizituar, që nga deti, turizmi i rërës dhe i ujit, por nga ana tjetër edhe turizmin arkeologjik. Padyshim që jeta kulturore, që çdo vit ka qenë e larmishme në Durrës, i ofron vendasve dhe të huajve një traditë, një event. Ne kemi qenë gjithnjë në mbështetje të aktiviteteve të tilla siç është edhe “Summerfest”, që është bërë traditë në qytetin tonë, ku mbushen sheshet plot”,- thotë Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë Durrës.

Një kombinim i atraksioneve historike dhe kulturore me natyrën e bukur. Përpos termeve publike, torrës veneciane, objekteve fetare dhe një sërë monumentesh të tjera me vlera arkeologjike, Durrësi ofron dhe plazhe shumë të bukura, nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, për të vazhduar me plazhet në rrethina.

Një prej tyre, Kepi i Rodonit. Turizëm kulturor dhe peizazhe mahnitëse. Këtu mund të vizitohet Kalaja e Skënderbeut, ndërtuar sipas historianëve që në periudhën e antikitetit, si një pikë strategjike për mbrojtjen nga sulmet. Një ndër kishat më të dëgjuara të zonës, që i takon periudhës së Mesjetës, është Kisha e Shënandout. Kjo kishë, së bashku me zonat përreth, konsiderohet një vend i shenjtë dhe çdo datë 13 qershor kthehet në një vend pelegrinazhi. Kepi i Rodonit ka qenë një hapësirë e shenjtë për kastriotët, madje edhe për vetë heroin legjendar të shqiptarëve, Skënderbeun, që zgjodhi të kalonte këtu së bashku me Donikën një ndër pjesët më të bukura të jetës, muajin e mjaltit.
Pranë Kepit të Rodonit, rreth 20 minuta nga dalja e autostradës Tiranë-Durrës, gjendet Gjiri i Lalëzit, me plazhe mjaft të preferura kohët e fundit. Ndryshe nga Kepi i Rodonit këtu mund të gjesh disa lokale dhe restorante që ofrojnë shërbime për pushuesit…

Për më eksploruesit mund të vizitohet Kruja, një ndër qytetet shqiptare që të shpie në një tjetër epokë.

Pas vizitave në qytet e përreth tij, Durrësi ka se çfarë të ofrojë edhe në drejtim të kulinarisë. Pjata shumëngjyrëshe e të shijshme me bazë prodhimet e detit.

Pasi shijohet perëndimi i diellit, qyteti nis argëtimin me club-et e natës. Muzikë e përzgjedhur nga DJ dhe ritme të ndryshme deri në orët e para të mëngjesit.

Ky është Durrësi i kësaj vere, një qytet antik, ndërthurur me ritmin e jetës moderne…

Top Channel