Mustafa, në Facebook: BMW-ja e blinduar në servisin e djalit tim s’përbën lajm

24/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk i jep kuptim negativ faktit, që kompania e udhëhequr nga djemtë e tij ka fituar një tender publik, pikërisht nga zyra e kryeministrit.

Bëhet fjalë për një kontratë në vlerën e 2946 euro, që – siç shkruan gazeta “Jeta” në Kosovë, – zyra e kryeministrit e ka nënshkruar me kompaninë “Makcar”, të udhëhequr nga Besnik e Arben Mustafa, për ofrimin e shërbimeve ndaj automjetit të blinduar BMW.

“Po lexoj se, një makinë BMW i qenka nënshtruar shërbimeve në një servis që e menaxhon djali im, Besniku, me një vlerë rreth 2,900 euro”, shkruan Mustafa në Facebook, për të theksuar se nuk ka qenë në dijeni për këtë.

“Por nuk shoh asgjë të keqe, që automjeti të marrë shërbimet e nevojshme në një servis të autorizuar. Shoh çmenduri e budallallëk që kjo të bëhet lajm, sepse nuk është i tillë, nëse disa persona të specializuar punojnë dhe rregullojnë një makinë. Lajm i keq per ne është etja, që të skandalizohen dhe të kriminalizohen ata që punojnë”, thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa në Facebook.

Top Channel