Kina trondit tregjet ndërkombëtare

24/08/2015 00:00

Tregjet europiane u tronditën këtë të hënë nga rritja e frikës mes investitorëve se ngadalësimi i ekonomisë kineze është më i madh nga sa parashikohej.

Bursat në Londër, Frankfurt, Milano dhe Parisi të gjitha pësuan rënie në pjesën e dytë të ditës. FTSE 100 Index në kryeqytetin britanik regjistroi një rënie me 4 përqind, bursa e Parisit me 4.6 përqind dhe ajo e Frankfurtit me 4.4 përqind.

Të hënën, bursat aziatike u tronditën nga rënia e aksioneve. Ajo e Shangait ishte më e goditura, duke humbur 8.5 përqind, më e madhja që prej vitit 2007.

Investitorët e mëdhenj janë të shqetësuar nga raportimet që mbërrijnë nga ekonomia e dytë më e madhe në botë. Dy javë më parë, qeveria kineze zhvlerësoi monedhën vendase, juan, hap ky që përforcoi drojen e investitorëve se rritja ekonomike nuk po ecën sipas parashikimeve.

Zhvlerësime pësuan edhe monedhat e tjera dhe mallrat, pasi ekonomitë e shumë vendeve kanë një varësi të madhe nga produktet kineze.

Përpjekjet e qeverisë kineze për të rikthyer besimin në tregje nuk kanë bindur dhe investitorët kërkojnë qartësi mbi hapat e ardhshëm të Pekinit.

Top Channel