Greqi, pas opozitës edhe Lafazanis pranon: E pamundur të krijoj qeveri të re

24/08/2015 00:00

Panagiotis Lafazanis, një prej radikalëve të majtë të konsideruar marksistë, i cili kundërshtoi marrëveshjen e re të shpëtimit për Greqinë, fitoi të drejtën e mandatit presidencial gjatë së hënës për të formuar qeverinë e re, por në mënyrë të menjëhershme pranoi se ishte e kotë dhe se do të dështonte, duke hedhur një hap drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Lafazanis, partia “Uniteti Popullor” e të cilit u themelua vetëm ditën e premte, mori të drejtën e 3 ditëve negociatash për të formuar një koalicion, pasi partia më e madhe në opozitë, Demokracia e Re, dështoi ta arrinte diçka të tillë.

Kryeministri Alexis Tsipras, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pasi Lafazanis udhëhoqi një rebelim në partinë e tij Syriza, ka akuzuar opozitën se qëllimisht po vonon zgjedhjet e parakohshme, të cilat sipas tij janë thelbësore për të siguruar stabilitetin politik grek.

Lafazanis, i cili u nda formalisht nga Syriza për të krijuar “Unitetin Popullor” së bashku me 24 politikanë të tjerë rebelë, tha se do të shfrytëzonte të trija ditët e lejueshme sipas Kushtetutës.

Gjithsesi, ai tha se do t’i bëjë jehonë edhe të mëtejshme, përpara zgjedhjeve të parakohshme të pashmangshme, kundërshtisë së tij ndaj politikave të dhimbshme ekonomike që Eurozona dhe FMN-ja i kanë imponuar Greqisë gjatë 5 viteve të fundit, në këmbim të kësteve të ndihmës së shpëtimit.

Opozita duket se nuk ka ndërmend të nxitojë për t’u “takuar” sërish me votuesit, të cilët pritet të kthehen nga pushimet verore e do të vihen përballë standardeve të jetesës edhe më të shtrënguara se më parë, për shkak të rritjes së taksës mbi vlerën e shtuar, si dhe vendosjes së taksës “solidarizuese” mbi të ardhurat, masa këto të detyrueshme nga marrëveshja e re me huadhënësit, gjë që mund të bëjë që Tsipras të humbasë disi nga popullariteti i tij.

Top Channel