Pranga hajdutëve të vilave në Tiranë

24/08/2015 00:00

Policia e Tiranës arrestoi tre shtetas të akuzuar për një seri vjedhjesh të ndodhura në zonën e vilave në Farkë, në periferi të kryeqytetit.

Të arrestuarit janë shtetasit Durim Rama, 27 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, Ardian Suti, 31 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me armë në Itali dhe Armend Krosi, 45 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Krujë.

Këta shtetas dyshohen si autorë të të paktën 9 vjedhjeve të kryera në një periudhë kohore prej 2 muajsh në zonën e vilave në Farkë dhe në Kopështin Zoologjik.

Vjedhja e parë ka ndodhur më datë 13 korrik, ku në një kompleks rezidencial në Farkë është grabitur banesa e një shtetasi të huaj; e dyta ka ndodhur një javë më vonë, në të njëjtin kompleks ku grabitësit kanë grabitur dy banesa, ku në të dy ato banonin shtetas të huaj.

Pas një periudhe qetësie në këtë zonë, më 19 dhe 21 gusht u grabitën dy rezidenca në të njëjtin kompleks vilash dhe dyshohet se autorë janë këta tre shtetas.

Veç vjedhjeve dhe grabitjeve në këtë kompleks rezidencial, tre të ndaluarit dyshohen si autorë të një sërë vjedhjesh të ndodhura në të shkuarën në zonat rezidenciale të kryeqytetit.

Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar pesë laptopë, detektor për kërkim metalesh, 10 ora të markave të shtrenjta, bizhuteri të ndryshme, pajisje të ndryshme shtëpiake dhe një aparat telefoni.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim”.

Top Channel