Dhërmi, banorët dalin në mbrojtje të kishës

24/08/2015 00:00

Banorët e Dhërmiut dolën në mënyrë të organizuar në mbrojtje të kishës së fshatit të tyre, që nisi të shkatërrohej nga INUK-u si ndërtim pa leje.

Kisha e Shën Thanasit është dëmtuar rëndë gjatë ndërhyrjes së INUK. Këtë të hënë banorët, së bashku me priftin rrethuan kishën, por asnjë inspektor i INUK nuk është shfaqur atje.

Banorët shprehen se ta mbrojnë këtë kishë, sido që është ajo, sepse e kemi ndërtuar vetë me krah që në vitin 1994, sepse kjo ka qënë e shkatërruar nga regjimi i asaj kohe.

Prifti i kishës, Thimjo Bixhili, është shprehur se kjo kishë është ndërtuar mbi themelet e kishës së vjetër. Kisha është prishur në vitin ‘74 dhe është rindërtuat sërish nga banorët e Dhërmiut. Një banor, i cili është dhe studiues i zonës së Dhërmiut, ka thënë se një kishë nuk mund të ndërtohet me konstruksiin betoni, por aty të ndërtohet një vend për ndezjen e qirinjve dhe të lutjeve, dhe jo një kishë betoni që nuk ngjason me asnjë kishë në zonë.

Ndërhyrja e INUK në këtë kishë ka prodhuar reagimin e radhës të Athinës. Ministria e Jashtme greke tha se “largimi i dhunshëm i besimtarëve nga Kisha e Shën Thanasit, prej punonjësve të Bashkisë së Himarës, heqja e simboleve fetare dhe e sendeve të shenjta prej kishës, si dhe dëmtimi i rëndë i kësaj godine, përbëjnë një akt të dënueshëm, pavarësisht argumentave juridikë të kësaj bashkie, dhe natyrisht nuk tregojnë imazh pozitiv të një vendi që aspiron të bëhet anëtar i familjes europiane”.

Kjo deklaratë prodhoi kundërdeklaratën e diplomacisë shqiptare, që e cilësoi reagimin e palës greke si të nxituar.

“Shqipëria përkujdeset të sigurojë zbatimin e ligjit në tërësinë dhe pacenueshmërinë e tij. Në raport me bashkësitë fetare, po ashtu edhe në raport me parandalimin e çfarëdolloj informaliteti dhe dallimin e tij nga shfrytëzimi korrekt i pronës private, në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe aktet e tjera ndërkombëtare në të cilët Shqipëria aderon”, deklaroi Ministria e Jashtme shqiptare.

Mbi rastin në fjalë është pyetur këtë të hënë edhe kryeministri Edi Rama gjatë pyetje-përgjigjeve që organizoi në rrjetet sociale. Kreu i Qeverisë mbështeti qëndrimin për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

“E bënin shpesh në të shkuarën, e bëjnë më rrallë. Duan ende kohë, si duket, që ta kuptojnë se Shqipëria s’pranon më tutelë”, thotë Rama.

Top Channel