Kosovë, “BMW”-ja e blinduar në servisin e djalit të Mustafës, reagon Qeveria

24/08/2015 00:00

Zyra e Prokurimit Publik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se oferta e kompanisë së udhëhequr nga djemtë e Kryeministrit ka qenë me çmimin më të ulët krahasuar me dy ofertuesit e tjerë.

Lidhur me artikullin e publikuar në mediat e shkruara dhe elektronike, i cili i referohet servisit të një veture (BMW X5, i blinduar) të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në servisin e vetëm të autorizuar të BMW-së në Kosovë, “Makcar”, i cili menaxhohet nga z. Besnik Mustafa, ka pasur një reagim publik edhe nga Qeveria e Kosovës.

Në reagim thuhet se “në këtë tender është bërë kujdes maksimal i shpenzimit sa me racional i parasë publike dhe se përzgjedhja e fituesit nuk kishte asnjë motiv tjetër. Ndërsa mbështetur në kriteret ligjore, në konkurrencë edhe me dy operatorë të tjerë ekonomik konkurrues, në kushte të barabarta, ka rezultuar se operatori i përgjegjshëm, me çmim më të lirë për shërbimin e kërkuar nga Qeveria e Kosovës te jetë kompania “Makcar”. Përzgjedhja e operatorit fitues në rastin konkret është bërë në përputhje të plotë me ligjin dhe në interes të shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe nuk ka të bëjë asgjë me faktin se z. Besnik Mustafa, si pronar-menaxher i këtij operatori është djali i Kryeministrit Isa Mustafa”, thuhet me tutje në këtë reagim.

Dy operatorët e tjerë ekonomik konkurrues kishin ofertuar çmimet 3,480 euro, përkatësisht 3,207 euro, ndërsa operatori “Makcar” kishte ofertuar çmimin 2,946 euro dhe si rezultat ishte shpallur fitues.

Top Channel