Turqi, ndërpritet sërish furnizimi me gaz nga Shah Denizi prej shpërthimit

25/08/2015 00:00

Rrjedha e gazit, përmes gazsjellësit që furnizon Turqinë me gazin azer, është ndalur gjatë mbrëmjes së të hënës, për shkak të një shpërthimi të ndodhur në lindje të vendit, bënë të ditur zyrtarë të sektorit energjetik.

Mendohet se shkak është sabotimi që i kanë bërë gazsjellësit militantët kurdë, të cilët kanë ndërmarrë sulme të njëpasnjëshme ndaj forcave të sigurisë dhe ushtarëve turq, që prej nisjes së fushatës ushtarake të Turqisë kundër objektivave të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Irak dhe militantëve të ISIS në Siri.

Zyrtarët thanë për “Reuters” se rrjedha e gazit është ndalur deri më 3 gusht për shkak të punimeve riparuese, ndërkohë që kishte rifilluar të transportohej për në Turqi vetëm më 23 gusht duke mos arritur edhe kapacitetin maksimal përpara shpërthimit të së hënës.

“Mbrëmjen e djeshme (e hënë) ka pasur një shpërthim në gazsjellësit e Shah Denizit në tokën turke, ndaj dhe furnizimi është ndërprerë”, tha një zyrtar i lartë. Një tjetër i tillë tha se vlerësimi i dëmit pritet të nisë këtë të martë dhe nuk është ende e qartë se kur do të rifillojë pas vlerësimit.

Një shpërthim i mëparshëm goditi gazsjellësit më 4 gusht, gjë që shkaktoi furnizimin deri më 23 gusht për shkak të procesit të riparimit dhe mirëmbajtjes së tij. Ndërkohë vetëm pak më herët sesa kjo ngjarje, një tjetër sulm i PKK-së ndaj naftësjellësit bruto që sillte naftë nga Iraku në Turqi kërcënoi sektorin energjetik.

Shah Denizi është fusha më e madhe gazmbajtëse e Azerbajxhanit dhe në të po kryhen zhvillime të rëndësishme nga partnerët aleatë, përfshi kompaninë britanike BP, kompaninë shtetërore energjetike të Azerbajxhanit SOCAR e të tjerë.

Nga Shah Denizi e ka pikënisjen edhe gazjellësi TAP që do të shtrihet në të gjithë Ballkanin jugor, që do ta transportojë gazin azer përmes Turqisë në Greqi, Shqipëri e më pas drejt Italisë, për ta bërë Europën disi më të pavarur nga gazi rus.

Turqia ka përjetuar një valë gjithnjë e në rritje të dhunës gjatë javëve të fundit, pasi militantët kurdë të PKK-së kanë shënjestruar forcat e sigurisë dhe infrastrukturën turke, për shkak të sulmeve të Tuqisë ndaj kampeve në veri të Irakut.

Top Channel