Greqi, Syriza projekton fitoren me shumicë absolute, pavarësisht përçarjeve

25/08/2015 00:00

Radikalët e majtë të Syrizas në Greqi mund të rizgjidhen me një shumicë të fuqishme, bëri të ditur një anëtar i lartë i partisë gjatë kësaj të marte, në mënyrë që të qeverisë e pavarur nga forcat e tjera partiake, të cilat mbështesin gjithashtu marrëveshjen e re të shpëtimit të vendit.

Panos Skourletis, ministër i Energjisë në qeverinë e udhëhequr prej Syrizas që dha dorëheqjen javën e kaluar, tha gjithashtu se vendi helen duhet të shmangë bllokimin, që do të çonte në një raund të dytë zgjedhjesh, një skenar që politikanët janë duke e marrë në konsideratë edhe pse nuk është vendosur ende zyrtarisht se kur do të zhvillohet raundi i parë.

Syriza, e cila gjatë 7 muajve në pushtet e çoi Greqinë buzë kolapsit financiar dhe daljes nga Eurozona, është duke projektuar rezultatet me besim të lartë, megjithatë mbetet e rrethuar nga përçarjet të tjera të brendshme, pas asaj që u zyrtarizua javën e kaluar.

“Besoj se shumica absolute në Parlament është një mision i arritshëm për Syrizan”, tha Skourletis për televizionin “Mega”. Ai hodhi poshtë gjithashtu mundësinë e një marrëveshjeje paszgjedhore me grupet kryesore pro ndihmës së shpëtimit, që janë konkretisht konservatorët e “Demokracisë së Re”, “To Potami” i qendrës apo socialistët e “PASOK”-ut.

“Në mënyrë që bashkëpunimet dhe bashkëqeverisjet të jenë politikisht të besueshme, ato duhet të bazohen në konvergjenca ekzistenciale të programeve, nga një bazë e përbashkët”, tha ai. “Nuk shoh aspak besueshmëri politike të tillë me forcat e tjera politike si Demokracia e Re, Potami apo PASOK”.

Presidenti i Greqisë ka ngarkuar me detyrë dy parti opozitare deri më tani në përpjekje për të formuar një qeveri të re, pas dorëheqjes së kryeministrit Alexis Tsipras gjatë së enjtes së kaluar, duke shpresuar të shmangë zgjedhjet e parakohshme pas vetëm 7 muajsh, nga ato të kaluarat kur Syriza erdhi në pushtet.

Por, teksa partitë janë thellësisht të ndara në lidhje me ndihmën e shpëtimit nga huadhënësit, e treta për Greqinë që prej vitit 2010, si dhe kushtet e ashpra shtrënguese të saj, “Demokracia e Re” dështoi gjatë afatit treditor të sajin për të gjetur partnerë koalicioni.

Tashmë “Uniteti Popullor”, marksistët e larguar nga Syriza, kanë marrë në dorë mandatin e Presidentit, por udhëheqësi i saj, Panagiotis Lafazanis, e pranoi që në momentin e parë “humbjen” me të cilën do të përballet gjatë përpjekjeve për një qeveri të re, teksa tha se këto 3 ditë do t’i shfrytëzojë vetëm për të theksuar edhe më tej mesazhin kundër marrëveshjes së ndihmës së shpëtimit.

Me të skaduar ky afat, natën e së mërkurës, Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos pritet të bëjë përpjekjen e fundit për të arritur kompromis mes partive. E duke qenë se edhe kjo përpjekje është e destinuar të dështojë, ai do të caktojë një kryeministër në detyrë dhe do të thërrasë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 30 ditëve.

Populli grek, nga ana tjetër, ka nisur të shqetësohet se zgjedhjet mund të dështojnë t’i japin fund paralizës së vendit, që supozohet se do të nisë me implementimin e masave shtrënguese të marrëveshjes, dhe se një raund i dytë zgjedhor mund të jetë i domosdoshëm si në vitin 2012. Por, Skourletis hedh poshtë një skenar të tillë. “Duhet ta shmangim. Disa gjëra kanë limitet e tyre dhe njerëzit e dinë këtë, ndaj dhe do të votojnë në mënyrë të atillë, që t’i japin fund këtij problemi”, tha ai.

Top Channel